zoom

Aktualitet

Ish-drejtori i ARRSH në SPAK, Xhika pas daljes: U pyeta për çështje kur drejtoja institucionin…

Ish-drejtori i ARRSH-së, Dashamir Xhika, është paraqitur ditën e sotme në SPAK. Pas raportimit të lajmit dhe përfundimit të seancës hetimore, u mësua edhe arsyeja e thirrjes së tij në Prokurorinë e Posaçme.

Ish-zyrtari i lartë ka qenë më parë i arrestuar dhe liruar për tenderin e rrugës Tiran-Elbasan, së bashku me zyrtarë të tjerë. Pikërisht tenderimet gjatë kohës kur mbante postin, mësohet se ishte edhe arsyeja e thirrjes, teksa pas daljes nga godina, Xhika e konfirmoi edhe vetë.

Pasi doli nga godina e Prokurorisë së Posaçme, Xhika u shpreh se thirrja e tij ishte në lidhje me procedura në kohën kur ai drejtonte Autoritetin Rrugor Shqiptar.

Prokuroria e Posaçme e ka pyetur Xhikën për kohën kur mbante funksionet si drejtor dhe dosjen për të cilën akuzohej. Gjithashtu arsyeja e thirrjes mund të jetë edhe për të dhënë shpjegime para prokurorëve, për ndonjë dosje që lidhet me persona të tretë. Xhika ishte i pashoqëruar nga avokati.

Aktualisht SPAK ka arrestuar ish-drejtorin e ARRSH-së Ervis Berberi, po për tenderët e rrugëve dhe korrupsionin.

Dashamir Xhika është ish-drejtor i ARRSH dhe kandidat për deputet i LSI në qarkun e Elbasanit në zgjedhjet e 2017. Ai u arrestua në shkurt të vitit 2018 për pagesa në punime të pakryera për Tiranë-Elbasan dhe më pas u lirua.

Dosja për të cilën u akuzua Xhika

Xhika është akuzuar gjatë kohës që ka qenë drejtor i ARRSH lidhur me abuzimet më të mëdha në rrugën Tiranë-Elbasan, që ishte kontraktuar për t’u ndërtuar me një vlerë që nisi me 240 milionë euro dhe përfundoi me 400 milionë euro. Kujtojmë që më 10 shkurt 2023, Damian Gjiknuri ka dëshmuar në SPAK mbi hetimet për aksin Tiranë-Elbasan.

Denoncimi u bë në atë kohë nga Damian Gjiknuri, në cilësinë e ish-ministrit të Transporteve, që kallëzoi në ish-Prokurorinë e Krimeve të Rënda abuzimet financiare që ishin bërë nga ish-drejtuesit e ARRSH në rrugën Tiranë-Elbasan. Ish-drejtori Dashamir Xhika dhe dy ish-drejtorët e menaxhimit të projektit të rrugës Tiranë-Elbasan, Albens Alite dhe Aksel Qurduka.

Ish-drejtori i ARRSH-së Dashamir Xhika dhe ish-zyrtarët e tjerë morën pafajësi në gjykatën Penale, por në vendim thuhej se ishte kryer abuzim dhe duhet të hetohej për të gjetur përgjegjësit. /ZOOM.AL/