Aplikacion
Një parakalim makine i futi dy të rinjtë në konflikt.
Mes sharjesh e ofendimesh, debati i nisur në rrugë mes tyre degjeneroi në përdorimin e armës së zjarrit.
Edhe pse i veshur me uniformë policie, 28-vjeçarit Novruz Cenalia iu drejtua arma dhe Azgan Mernica shkrepi një plumb në kokën e tij.
Pasi u dëgjua e shtëna, efektivi mbeti i vdekur në vend, ndërsa autori 23-vjeçar nxitoi të braktiste vendin e krimit.
Me makinën, për parakalimin e të cilës u përplas me 28-vjeçarin, Azgan Mernica udhëtoi deri te shtëpia e dajës së tij.
Kur mbërriti aty, 23-vjeçari zbriti nga makina dhe u zhduk mes arash në fshatin Baltëz, duke vënë policinë në kërkim të tij.
Për arrestimin e tij janë angazhuar forcat RENEA dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, ndërsa me dronë po kontrollohet nëpër ara për të bërë lokalizimin e Azgan Mernicës, që ndryshe njihej edhe me emrin Asllan Mernica.
Nëse qytetarët ndihmojnë me detaje për vendndodhjen e tij, Policia e Fierit jep 30 mijë euro shpërblim.
Deri në prangosjen e 23-vjeçarit, Drejtori i Policisë së Fierit, Lorenc Paganika kërkon edhe ndihmën e familjarëve që ta bindin atë të dorëzohet./ Zoom.al