zoom

Aktualitet

Atentati i Ndojës/ Ramazan Rraja kërkonte lirinë, GJKKO lë në qeli nipin e ish-deputetit socialist

Gjykata e Posaçme nuk e ka pranuar sot kërkesën e Ramazan Rrajës, për ndryshimin e masës së sigurisë nga “arrest me burg”, në “detyrim për t-u paraqitur në Policinë Gjyqësore” apo e “arrestit në shtëpi”.

Nipi i ish-deputetit te PS dyshohet për përfshirje në atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja, më 1 Nëntor 2019 te mbikalimi i Shkozetit, ku humbi jetën shoferi i magjistratit, Andi Maloku, u plagos dhe Landi Muharremi, i njohur si “Rrumi i Shijakut” apo si “i forti i Sukthit”.

Rraja nuk e ka pranuar akuzën, teksa deri tani ka disa të arrestuar dhe të kërkuar për atentatin e bujshëm, ku edhe ish-prokurori mbeti i plagosur rëndë.

NJOFTIMI i GJKKO:

“Kërkuesi Ramazan Rrahja më datë 08.04.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: Zëvendësimi i masës së sigurimit personal “arrest në burg” të caktuar me vendimin nr.308 akti, dt.21.07.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe të caktohet masa e sigurimit ajo e “Detyrimit për t u paraqitur në policinë gjyqësore” ose ajo e “Arrestit në shtëpi”.

Në përfundim të gjykimit Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Bani, me Vendimin Nr. 214, Nr.Regj. Them 214, datë 13.05.2024 vendosi:

Papranueshmërinë e kërkesës penale me numër 214 rregjistri themeltar, datë rregjistrimi 08.04.2024 me kërkues Ramazan Rraja me objekt “Zëvendësimi i masës së sigurimit”, për shkak të heqjes dorë.

Shpenzimet gjyqësore në ngarkim të kërkuesit.

Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 5 ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi.

U shpall sot në Tiranë, më datë 13.05.2024

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”. /ZOOM.AL/