zoom

Aktualitet

I dënuar për drogë në Belgjikë, SPAK konfiskon pasuritë 1,5 mln euro, 10 janë llogari banke (Emri)

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, njoftoi sot se ka kërkuar në GJKKO konfiskimin e 9 pasurive dhe aseteve, mes tyre dy apartamente, biznes, 10 llogari bankare me vlerë mbi 700 mijë euro, e 4 automjete, të një biznesmeni.

Ai është Flamur Sinanaj, që sipas dosjes penale, ka qenë i dënuar në Belgjikë, në Antwerp me 8 vite burgim në vitin 2010, për narkotrafik, mashtrim dhe falsifikim.

“Bazuar në parashikimet e ligjit nr.10 192, datë 03.12.2009, “Për Parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar, Trafikimit dhe Korrupsionit nëpërmjet Masave Parandaluese kundër Pasurisë”, ka paraqitur para Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kërkesën për konfiskimin e pasurive të shtetasit Flamur Sinanaj dhe personave të lidhur me të.

Shtetasi Flamur Sinanaj, është subjekt i ligjit nr.10 192/2009, pasi në bazë të vendimit nr. 5736 datë 01.12.2010, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor, Antverpen, dega Antverpen, dhoma 8C, është dënuar me 8 (tetë) vjet heqje lirie dhe 5.000 (pesë mijë) Euro gjobë, për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i lëndëve narkotike, të llojit kokainë”, “Mashtrimi” dhe “Falsifikimi i dokumentave”, si pjesë e një organizate kriminale, parashikuar nga legjislacioni penal i Mbretërisë së Belgjikës”, tha SPAK.

Pas shqyrtimit të kërkesës, GJKKO e ka aprovuar me formë të prerë një muaj më parë.

“Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.1, datë 09.01.2024, (vendim i cili ka marrë formë të prerë në datën 09.04.2024), ka vendosur konfiskimin dhe kalimin në favor të shtetit të pasurive të luajtshme dhe paluajtshme”, sqaroi prokuroria.

Pasuritë e konfiskuara:

-Apartament me sipërfaqe 76.5 m2, me adresë rruga “Muhamet Gjollesha”, Tiranë, blerë sipas kontratës së shitjes, në vlerën prej 70.000 Euro;

-Njësi me sipërfaqe 163 m2, me adresë rruga “Muhamet Gjollesha”, Tiranë, përfituar sipas kontratës së shitjes, në vlerën prej 280.000 Euro;

-Pasuria e llojit apartament, me sipërfaqe 123 m2, në Rrugën “Reshit Petrela”, Tiranë, blerë sipas kontratës së shitjes, në vlerën prej 15.990.000 Lekë;

-7 (shtatë) llogari bankare në banka të nivelit të dytë në një shumë totale prej 660 854 Euro;

-3 (tre) llogari bankare në banka të nivelit të dytë në një shumë totale prej 7.574.664 Lekë;

-Motorr Uji “Yamaha”, tipi motor Deti “Jetski”, viti i prodhimit 2016;

-Varkë Vetorizine e përdorur “Yamaha 242X Limited USA”, viti i prodhimit 2017, me gjatësi 7.45 m;

-Automjet, marka “GMC”, modeli SIERRA SLT, tipi Kamion, viti i prodhimit 2011;

-Automjet, marka “Mercedes Benz”, modeli B180CDI, tipi 146, viti i prodhimit 2012

/ZOOM.AL/