zoom

Politikë

Çfarë pritet të ndodhë sot në Parlament? Nga interpelanca e “nxehtë” për Amnistinë me Manjën, te…

Kuvendi mblidhet sot në një seancë plenare, ku pikë e parë dhe kryesore e rendit të ditës është interpelanca me ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja, e kërkuar nga një grup deputetësh të opozitës të PD.

Temë e interpelancës është Amnistia Penale, e cila hyri në fuqi pak javë më parë dhe debatet pritet të jenë të forta dhe të shoqërohen me akuza. Demokratët akuzojnë se amnistia u bë për të liruar 100 zyrtarë të dënuar apo hetuar për korrupsion nga GJKKO dhe SPAK.

Po ashtu, gjatë seancës së sotme pritet të ratifikohen tre marrëveshje. Fillimisht marrëveshja e huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë (huamarrësi), përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, dhe KFW Frankfurt am Main (KfW), për financimin e projektit “Transporti i gjelbër i Tiranës””.

Më pas do të votohet ratifikimi i marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian për pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë në programin “Qytetarët, barazia, të drejtat dhe vlerat””.

Në fund është dhe ratifikimi i Konventës Lubjanë – Hagë për Bashkëpunimin Ndërkombëtar për Hetimin dhe Ndjekjen Penale të Krimit të Gjenocidit, Krimeve kundër Njerëzimit, Krimeve të Luftës dhe Krimeve të Tjera Ndërkombëtare”. /ZOOM.AL/