Aplikacion
Thoma Mastora, 69 vjeç, dyshohet se është autori i vrasjes së çiftit të moshuar në Dropull, Kosta Ilia 84 vjeç dhe Kleoniqi Ilia, 88 vjeçe.
Policia e Gjirokastrës, thotë se në bazë të provave biologjike dhe shkencore, ka dalë në përfundimin e vrasësi është bashkëfshatar me viktimat.
Vrasja ka ndodhur për motive të dobëta dhe mosmarrëveshje të çastit mes autorit dhe viktimave, sipas drejtorit të Policisë së Gjirokastrës, Ardian Çipa.
Autori i krimit makabër ditën e ngjarjes ka shkuar në banesën e çiftit të të moshuarve, aty ku dyshohet se edhe ka pirë kafe me këto të fundit dhe më pas i vrarë me sende të forta. E moshuara u gjet e pajetë në banesë, ndërsa 84-vjeçari u gjet i vdekur në oborrin e banesës së tyre. Shkaku i krimit dyshohet të ketë qenë synimi i autorit të krimit që të marrë pronat (tokat) e çiftit të të moshuarve në fshatin Bridishtë, por policia po heton për zbardhjen e shkakut.
Policia nuk gjeti shenja të hyrjes me forcë në banesë, çka shtoi dyshimin e mëtejshëm se viktimat dhe autori njiheshin, kjo gjë u përforcua kur në shtëpi u gjetën dhe rreth 5 milionë lekë.
Çifti Ilia nuk kishin fëmijë biologjikë, por kishin një vajzë të birësuar të cilën nuk e kishin takuar prej 10 vitesh, e cila jetonte në Greqi.