zoom

Aktualitet

Protesta e dhunshme para Bashkisë, 3 persona shpallen në kërkim dhe 3 të tjerë vihen nën hetim

Protesta e djeshme që pati edhe çaste konfrontimi me Policinë dhe dhune me lëndë djegëse, si molotov, u pasua nga hetimet, ekspertimi dhe arrestimet e para.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në lidhje me aktet e dhunshme të ushtruara gjatë protestës së zhvilluar pasditen e djeshme, përpara Bashkisë Tiranë, nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit dhe Opozita, në vijim të veprimeve hetimore e procedurale dhe nën drejtimin e Prokurorisë, njoftoi se procedoi në gjendje të lirë 3 persona dhe 3 të tjerë u shpallën në kërkim.

“Po hetohen në gjendje të lirë K. K., 27 vjeç, S. G., 40 vjeç, dhe A. Q., 63 vjeç, për veprat penale “prishja e qetësisë publike”, dhe “kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.

Gjithashtu, janë shpallur në kërkim shtetasit Z. B., 19 vjeç, R. D., 19 vjeç, dhe N. M., 57 vjeç, për veprat penale “kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “prishja e qetësisë publike”, “shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “shkatërrimi i pronës me zjarr”, dhe “goditjet për shkak të detyrës”, ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë tha se respekton plotësisht të drejtën e qytetarëve për të organizuar dhe marrë pjesë në tubime paqësore, por apelon për qetësi dhe jo akte dhune.

Deri tani ka 6 të arrestuar për protestat e tre javëve të fundit, që Gjykata i ka lënë me masat “detyrim paraqitjeje” dhe mospjesëmarrje në tubime, si dhe disa në kërkim. Dhjetëra janë nën hetim, përfshi edhe përfaqësues politikë të opozitës. /ZOOM.AL/