zoom

Aktualitet

Trafikoi drogë më 2005 në Itali, kapet për ekstradim 65-vjeçari me dy emra. I dënuar me 23 vite

Një 65-vjeçar, i shpallur në kërkim nga autoritetet italiane si pjesëtar i një organizate kriminale, është arrestuar në Durrës.

Asjan Buçeza alias Hasan Buçeza është dënuar nga Gjykata e Milanos me 23 vjet burgim, për veprimtaritë kriminale të posedimit, shitjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike, të kryera në kuadër të organizatës kriminale.

65-vjeçari akuzohet se nga viti 2004 deri në muajin prill 2005, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka trafikuar 19 kilogramë lëndë narkotike heroinë drejt Italisë. Ai u vendos në pranga me qëllim ekstradimin drejt shtetit fqinj.

Njoftimi i policisë:

“Finalizohet operacioni policor i koduar “ Periudha”, për kapjen e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar, për llogari të Italisë. Operacioni u zhvillua nga Forca e Posaçme Operacionale Durrës, në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional kombëtar të koduar “Sundimi i ligjit”.

Arrestohet për t’u ekstraduar në Itali, pjesëtari i një organizate kriminale me veprimtari në fushat e shitjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike. Si rezultat i aksioneve intensive të Policisë, të kryera me qëllim kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore dhe të shkëmbyera ndërmjet zyrave homologe të Interpolit, mbi vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar, për llogari të Italisë, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Periudha ”.

Gjatë operacionit, u lokalizua, u kap dhe u arrestua provizorisht, për t’u ekstraduar në Itali, shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar: Asjan Buçeza alias Hasan Buçeza, 65 vjeç. Gjykata e Milanos e ka dënuar këtë shtetas, me 23 vjet burgim, për veprimtaritë kriminale të posedimit, shitjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike, të kryera në kuadër të organizatës kriminale.

Nga viti 2004 deri në muajin prill 2005, ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka trafikuar 19 kilogramë lëndë narkotike heroinë, drejt Italisë. Interpol Tirana dhe Interpol Roma po bashkëpunojnë për ekstradimin e këtij shtetasi, në Itali”. /ZOOM.AL/