zoom

Kosova

Dështojnë zgjedhjet në veri të Kosovës, në krye të komunave mbeten shqiptarët

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi, tha se iniciativa për largimin e kryetarëve të komunave veriore në Kosovë, ka dështuar, pasi në këtë proces nuk kanë marrë pjesë 50 për qind plus 1 e votuesve.

Sipas tij, në total kanë votuar 253 persona prej 46.556 qytetarëve që kanë pasur të drejtë vote.

Në Leposaviq votuan 124 votues apo 0.91 për qind e shifrës totale, në Zubin Potok, 18 votues, apo 0.26 për qind, në Zveçan asnjë votues, ndërsa në Mitrovicë të Veriut, 111 votues, apo 0.59 për qind e votuesve.

Të gjitha qendrat e votimit – 23 – u mbyllën të dielën në orën 19:00.

Ky proces u organizua teksa Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, ka bërë thirrje për bojkotim të votimeve.

Rrjeti i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim (DnV), tha se “procesi i votimit gjatë gjithë ditës është karakterizuar me mungesë të theksuar të interesimit nga qytetarët për të marrë pjesë në votim, pavarësisht se në muajin janar mbi 20% të qytetarëve me të drejtë vote kishin nënshkruar peticionin për largimin e kryetarëve në katër komunat e veriut të Kosovës”.

Sipas tij, gjatë ditës nuk është raportuar për asnjë incident.

Reagimet pas votimit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e konsideroi si fatkeqësi bojkotimin e procesit të votimit nga serbët lokalë dhe sipas saj, kështu “Serbia kreu ndërhyrje të paligjshme në një proces zgjedhor të një shteti tjetër.

“Edhe njëherë, [presidenti serb, Aleksandar] Vuçiqi shkeli fjalën që ua kishte dhënë partnerëve ndërkombëtarë”.

Ajo e falënderoi KQZ-në dhe institucionet tjera për organizim të zgjedhjeve, dhe tha se me këtë proces, Kosova i ka plotësuar të gjitha kërkesat e kërkuara nga BE-ja, andaj bëri thirrje që blloku evropian t’i heqë të gjitha masat ndaj Kosovës.

Dushan Radakoviq, nga Demokracia në Veprim, i tha Radios Evropa e Lirë se nuk pret që të ndryshojë diçka pas këtij procesi.

“Pres presion edhe më të madh nga strukturat në pushtet, sepse do të thonë se është dhënë mundësia për të votuar, se janë dhënë disa gjëra të tjera në lidhje me nënshkrimet (peticionet), por nuk mendoj se do të ketë ndonjë përmirësim, kam frikë. Kam frikë se do të ketë edhe më shumë probleme, sepse këta kryetarë do të mbesin në pushtet de facto dhe de jure deri në tetorin e vitit tjetër, kur janë zgjedhjet e rregullta lokale”.

Pse u votua të dielën?
Zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit të vitit 2023, që u mbajtën pas tërheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës, në fund të vitit 2022, në shenjë pakënaqësie ndaj vendimit për targat të Qeverisë së Kosovës, u bojkotuan nga partitë dhe popullata serbe.

Si rrjedhojë, udhëheqjen e Leposaviqit e mori Lulzim Hetemi nga Lëvizja Vetëvendosje, atë të Zubin Potokut Izmir Zeqiri nga Partia Demokratike e Kosovës, udhëheqja e Zveçanit iu besua Ilir Pecit po nga PDK-ja, ndërkaq në krye të Mitrovicës së Veriut u zgjodh Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje.

Në maj 2023, kur këta kryetarë – përjashtuar Atiqin – shkuan në zyret e tyre për të nisur mandatin, u përballën me revoltë të popullatës lokale, të cilët protestuan para ndërtesave komunale, të cilat njëkohësisht ishin objekte të komunave që funksionojnë sipas sistemit serb.

Situata u përshkallëzua më 29 maj në Zveçan, pas përleshjeve mes protestuesve dhe pjesëtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR. Për pasojë, dhjetëra persona u lënduan nga të dyja palët.

Faktori ndërkombëtar i bëri thirrje Kosovës që të organizojë votime të reja.

Në shtator 2023, Qeveria e Kosovës nxori një udhëzim administrativ që u mundësonte qytetarëve të ndiqnin disa procedura për të shkarkuar kryetarët.

Sipas udhëzimit, serbët, përmes peticioneve mblodhën 20 për qind të nënshkrimeve të nevojshme – nga numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar – dhe KQZ-ja vendosi 21 prillin si datë të votimit.

Sipas udhëzimit, do të duhen 50 për qind, plus një votë, nga lista e votuesve të votojnë për shkarkimin e kryetarit të komunës përkatëse. Më pas, rezultati i dërgohet presidentes, Vjosa Osmani, e cila ka afat që nga 30 deri 45 ditësh të shpallë zgjedhjet.

Teksa KQZ-ja veçse kishte nisur procedurat për organizimin e votimeve, Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – më 7 prill njoftoi se do të bojkotonte votimet.

Kreu i kësaj partie, Zllatan Ellek, u ankua se autoritetet kanë vendosur “procedura të parealizueshme” për votimin e 21 prillit dhe se listat e votuesve “nuk e pasqyrojnë gjendjen reale në terren”, duke argumentuar se numri i shqiptarëve në listat e votuesve “është rritur”.

“Qëndrimi i Listës Serbe është të mos marrë pjesë në referendumin e thirrur nga Albin Kurti [kryeministri i Kosovës], sepse ai bëri gjithçka që ai të dështojë”, tha ai.

Në ditët në vijim, Lista Serbe tërhoqi anëtarët e saj nga Komisionet Komunale Zgjedhore.

Vendimi i Listës Serbe për të bojkotuar votimet u kritikua nga Bashkimi Evropian, që i bëri thirrje këtij subjekti që të rishqyrtojë vendimin dhe të mos bëjë thirrje për bojkot.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, më 21 prill vizitoi vendvotimet në Leposaviq.

Duke folur për bojkotin e Listës Serbe, Krasniqi tha se kjo parti dëshiron që ta ketë “monopolin” mbi politikën e serbëve në Kosovë.

“Lista Serbe dëshiron ta ketë monopolin mbi politikën e serbëve në Kosovë. Ata i shohin institucionet vetëm për vete dhe jo për qytetarët. Ata vazhdojnë t’i kenë ulëset e rezervuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës dhe mos t’i përfaqësojnë interesat e qytetarëve, mirëpo t’i marrin pagat e Kuvendit të Kosovës. Tashmë qytetarët, edhe me votim, deklarojnë nëse janë për largimin e kryetarëve ose jo”, tha Krasniqi.

Kryeministri i Kosovës, Kurti, ndërkaq, më 19 prill u bëri thirrje serbëve që të votojnë nëse duan të shkarkojnë kryetarët, duke argumentuar se ata mund të shkarkohen vetëm përmes votave, “e jo bandave”. Ai tha se nëse qytetarët vendosin të shkarkojnë kryetarët, Qeveria garanton se ky vendim do të zbatohet “me shpejtësi”./ Radio Evropa e Lirë