Aplikacion
Të gjitha qendrat e votimit janë hapur në orën 7 të mëngjesit dhe pritet të mbyllen në orën 19:00.
“Ju njoftojmë që janë hapur të gjitha qendrat në këto komuna. Numri i qendrave të Leposaviçit është 8, në Zubin Potok, në Zveçan dhe Mitrovicë të Veriut është 5″, tha zëdhënësi i KQZ, Valmir Elezi.
Të drejtë vote në këtë proces kanë 46.556 qytetarë në katër komunat. Në mënyrë që votimi të jetë i suksesshëm, duhet të votojnë minimalisht, 50% + 1. Nëse përmbushet ky kusht, atëherë brenda afateve ligjore mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Në rast se pjesëmarrja është më e ulët se 50%+1, atëherë votimi konsiderohet i dështuar dhe një iniciativë tjetër nuk mund të merret pa kaluar 12 muaj.
Ky proces po zhvillohet, ndërsa Lista serbe u ka bërë thirrje qytetarëve të mos marrin pjesë në zgjedhje.
Sipas rrjetit të organizatave joqeveritare “Demokracia ne veprim” deri më tani ka patur një interesim minimal të qytetarëve për të votuar.
Kryetarët serbë në nëntor të vitit 2022 dhanë dorëheqjen nga këto katër komuna pas vendimit të qeverisë për targat.
Më pas më 23 prill 2023 u mbajtën zgjedhje në këto komuna për kryetarët e rinj, por pjesëmarrja ishte e ulët. Procesi u bojkotua nga Lista Serbe dhe qytetarët serbë.
Këto votime nxorën fitues kandidatët shqiptarë të PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Por me kërkesë të ndërkombëtarëve, ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal hartoi një udhëzim administrativ, i cili parashikon procedurat se si duhet të shkohet në zgjedhje përmes peticionit.