zoom

Bota

Katastrofë natyrore në Pakistan, përmbytjet dhe rrufetë marrin jetën e të paktën 39 njerëzve

Të paktën 39 persona kanë humbur jetën në Pakistan pas disa ditësh përmbytje nga shirat e dendur që goditën jugperëndimin e vendit. Mes viktimave janë edhe disa fermerë të cilët janë goditur nga rrufeja gjatë kohës që ishin në fushat e korrjes së grurit.

Një pjesë e tokave bujqësore janë të përmbytura, ndërsa uji vërshon edhe rrugëve të qyteteve. Provinca më e populluar e Pakistanit, Punjab, ka pësuar numrin më të madh të viktimave deri më tani, me 21 njerëz të vrarë nga rrufeja.

Pakistani ka përjetuar një rritje të ngjarjeve ekstreme të motit, pasi përballet me ndikimet e ndryshimeve klimatike.

Në vitin 2022, një e treta e vendit u përmbyt duke u marrë jetën më shumë se 1700 njerëz dhe duke plagosur mijëra të tjerë. Miliona njerëz mbetën të pastrehë dhe u mungonte uji i pijshëm për disa muaj.

Shkencëtarët kanë thënë se ngrohja globale ka të ngjarë të ketë luajtur një rol në përmbytjet shkatërruese që goditën Pakistanin në vitin 2022. Pakistani renditet gjithashtu si vendi i pestë më i cenueshëm ndaj ndryshimeve klimatike, sipas Indeksit Global të Rrezikut Klimatik të OKB-së. /ZOOM.AL/