zoom

Politikë

Media italiane: Qendrat e emigrantëve në Lezhë nuk ngrihen para nëntorit, kostoja 1 mld euro

Teksa punimet e para kanë nisur prej ditësh në Gjadër dhe Shëngjin, ndryshe raportohet nga Italia.

Dy qendrat për strehimin e emigrantëve duket se do të jenë gati vetëm në nëntor. Kështu shkruhet në një artikull të “La Republica”, teksa theksohet edhe kostoja totale e projektit social.

Duket se qeveria italiane, ndonëse përmes marrëveshjes së firmosur me shtetin shqiptar, ka kundërshtuar vetëveten për faktin se kur do të ishin gati këto dy qendra strehimi, atë në Gjadër dhe në Shëngjin.

Puna për ndërtimin e këtyre dy kampeve nisi më 23 mars, ndërsa dorëzimi do të bëhet pas 233 ditësh, pra më 10 nëntor. Media italiane i referohet një vendimi të Ministrisë së Mbrojtjes që i besoi inxhinierëve ushtarakë ndërtimin e qendrave për emigrantët në Shqipëri.

Sipas tenderit drejtues që duhet të kishin hapur në maj, Ministria e Mbrojtjes pret dorëzimin e punimeve për strukturat në vjeshtë. Po ashtu thuhet se kostot rrezikojnë të arrijnë një miliard euro për 5 vite. /ZOOM.AL/