Aplikacion
Zëdhënësja e ministrisë së jashtme ruse, Maria Zakharova gjatë një konference në Moskë tha se NATO dhe BE po hapnin një qendër kibernetike në Shqipëri, me qëllim goditjen e Rusisë.
Lajmi kaloi si propagandë e zakonshme ruse që vjen përtej kufijve dhe askush nuk mohoi apo pohoi asgjë.
Në një dokument të Ministrisë së Mbrojtjes, të parë nga Zoom.al, deklarata e Zakharovës ka një të vërtetë: NATO do të krijojë një qendër kompjuterik të klasifikuar në Shqipëri me emrin “NATO Sekret”.
Dokumenti qindra faqe i gjatë që mban firmën e ministrit Niko Peleshi tregon se ndër investimet që do të bëhen në Ushtrinë e Shqipërisë është edhe “ndërtimi i rrjetit kompjuterik të klasifikuar ‘NATO Sekret’ sipas projektit ‘Allied Federated Services’ që ka vetë NATO”.
Shpjegimet janë të zbehta dhe informacionet shtesë mungojnë, por emërtimi “NATO Sekret” dhe përcaktori “të klasifikuar” mjaftojnë për të konfirmuar së bëhet fjalë për operacione kibernetike.
Sipas definicionit që jep Aleanca, një rrjet i tillë ka në thelb ndarjen e informacionit midis partnerëve dhe për reagimin e përbashkët ndaj sulmeve.
Nga ana tjetër, ndonëse qëllimi për të sulmuar Rusinë mbetet vetëm propagandë e Putin, në të njëjtin dokument, Ministria e Mbrojtjes në vend thotë se Shqipëria është e ekspozuar ndaj një sulmi rus për shkak të gazsjellësit TAP.
NATO po financon dhe krijimin e një baze detare në Porto Romano, si pikë lidhëse për Perëndimin dhe Lindjen e Europës. Projekti është ende vetëm një deklaratë liderësh dhe nuk ka një model konkret se çfarë do të ndodhë./Zoom.al