zoom

Lajme

Surpriza në Europa League, s’ka Liverpool pa Champions! Roma shtang Milanin, reagimet pas ndeshjeve

Mbrëmje surprizash në çerekfinalet e Europa League, ku duket se dy ekipe italiane do të jenë në gjysmëfinale.

Por surpriza më e madhe vjen nga Anglia, ku pretendentët e Liverpool pësuan disfatë 0-3 ndaj Atalantës. Në pjesën e parë në “Anfield” The Reds gjetën shtyllën por jo golin, teksa bergamaskët u treguan pragmatist duke zhbllokuar llogaritë me Scamaccan.

Në pjesën e dytë, The Reds lejuan shumë hapësira duke dalë përpara dhe u ndëshkuan përsëri nga Scamacca, duke e kthyen misionin e përmbysjes në mision të pamundur për Liverpool. Deri në fund, pati kohë edhe për një gol të Pasalic, i cili thelloi shifrat. Duket se anglezët janë mësuar më shumë me Champions, ku regjistrojnë 3 finale dhe një të fituar në pesë sezonet e fundit.

Në Milano, dueli i luftuar Milan-Roma përfundoi 0-1 në favor të skuadrës së De Rossit, takim i vendosur nga një gol i Mancinit. Në sfidat e tjera, Benfica-Marseille përfundoi 2-1 ndërsa Leverkusen mundi 2-0 West Ham.

Derbi italian qe më i nxehtë se kurrë dhe Roma befasoi Milan. Dhe një humbje e tillë përballë Romës nuk i lë një shije të mirë trajnerit Pioli: “Kishim disa vështirësi gjatë pjesës së parë. Pësuam një gol nga goditja e këndit, aty ku ata u treguan më të zotë. Në pjesën e dytë ekipi më pëlqeu, por nuk e kishim atë qartësi dhe cilësi. Mendoj se barazimi do të ishte rezultati më i drejtë, por tani është ndeshja e kthimit, jam i sigurt se ekipi im mund të bëjë më mirë. Sigurisht, të përmbysim rezultatin nuk do të jetë e lehtë. Këtë mund ta bëjnë vetëm ekipet e forta, por nëse ka një skuadër që mund të bëjë këtë, ky është ekipi im, jam i sigurt për këtë”, u shpreh Pioli duke bërë në fund edhe në koment për paraqitjen e Leao-s:

“Nuk më shqetëson. Tani pres nga Leao dhe i gjithë ekipi që të tregojnë krenari dhe dëshirë, të tregojnë që janë një skuadër e madhe”, theksoi ndër të tjera Pioli.

Kurse tekniku i Romës, De Rossi tha:

“Nga kjo ndeshje më pëlqeu pak nga të gjitha, më pëlqeu guximi për të mbajtur topin, forca për t’u mbrojtur. Në këtë sfidë pash edhe Lukakun në ditën e tij më të mirë që kur unë kam ardhur këtu. Bëri spondën, na lejoi të dilnim përpara, bëri pikërisht atë që pres prej tij.

Ndeshja e kthimit? Milan sigurisht mendonte të fitonte në shtëpi për të administruar më pas ndeshjen e kthimit. Sjellja e tyre pritet të jetë e njëjtë, por nëse në luajmë në stadiumin tonë si 10 minutat e fundit në San Siro do të na shpartallojnë”.

Ndeshjet dhe rezultatet:

Liverpool-Atalanta 0-3

Milan-Roma 0-1

Leverkusen 2–0 West Ham

Benfica 2-1 Marseille