zoom

Aktualitet

I ikën policisë dhe kontrollit në pikën e Kapshticës, por pasi kapet… nuk i gjendet asgjë!

Një 47-vjeçar nga Bilishti nuk i është bindur urdhrit të policisë për të ushtruar kontroll në automjetin e tij dhe pasi është ndaluar, forcat e rendit nuk i kanë gjetur asgjë të jashtëligjshme.

Ende nuk dihet se pse ky shtetas ka ndërmarrë një veprim të tillë në Pikën e Kalimit Kufitar të Kapshticës, teksa verifikimet nëse ka qenë i dyshuar apo kërkuar po vijojnë pas shoqërimit për kundërshtim.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Devoll referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin M. H., 47 vjeç, banues në Bilisht, pasi në dalje të Republikës së Shqipërisë, në Pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë, duke drejtuar automjetin tip “Suzuki”, nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të policisë, për të ushtruar kontroll në automjetin e tij”, tha policia.

Më pas, gjatë kontrollit të kryer në vijën e dytë dhe në skaner, nuk janë gjetur sende të kundërligjshme. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme. /ZOOM.AL/