zoom

Lajme

Replika mes deputetëve Noka dhe Majko. Nga laboratori i Xibrakës, te përgjimet e Kukësit

Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, hodhi akuza të tjera në lidhje me laboratorin e kokainës së Xibrakës, duke theksuar se dy prokurorët e çështjes u ngjitën në detyrë. Nga Kuvendi, Noka tha se i vetmi person i pa identifikuar nga Prokuroria ishte vëllai i kryeministrit.

“Shqipëria është një narkoshtet që zë fill nga kryeministri. Si mund të mos vijë kryeministri të japë shpjegime kur vëllai i tij është i kapur me zë dhe figurë. Me urdhër politik rezulton se të gjithë personat e Xibrakës ishin të identifikuar vetëm njëri nuk ishte identifikuar. I them zotërisë kryeministër, por kur Policia e Shtetit thotë se një nuk është i identifikuar është që ta kërkojë në sistem fotografinë e personit dhe pika e dytë është ta shoqërojnë.

Mos vallë ishte ky një deputet me imunitet dhe nuk mund të ndalohej nga policia? Po ua them unë; personi nga grupet e vëzhgimit është identifikuar, por kur është parë se kush është, është dhënë urdhri politik dhe personi i pa identifikuar që përdorte automjetin është vëllai i kryeministrit. Këtë se thotë as Gazment Bardhi as Flamur Noka. Këtë e thonë të dhënat zyrtare të nxjerra nga TIMS-i.

Si shpjegohet që dy prokurorët e çështjes që njëri shkoi në krye të Prokurorisë së Përgjithshme dhe tjetri do shkonte drejtues i SPAK. Atë ditë ndërhyri dikush më i fuqishëm se Rama dhe ndikoi që të mos zgjidhej. Ky është realiteti. Nuk ndodh dot në asnjë vend një situatë e tillë dhe tani kryeministri i kapur në çark nuk denjon të vijë këtu të japë llogari. Ta kuptoj hallin Pandi. Përgjimet e Kukësi ku dole ti, 300 mijë euro atje 300 këtu ta ka mbyllur dosjen SPAK-u. Një ditë do të hapet ajo dosje për ty, Ramën dhe të gjithë organizatën kriminale”, tha ai.

Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko iu përgjigj akuzave të deputetit demokrat, Flamur Noka, sipas të cilit SPAK i mbylli dosjen e përgjimeve në Kukës.

“Dëgjova me vëmendje numrin dy të fraksionit kryesor të PD. SPAK-u është një organizatë kriminale dhe pastaj vazhdoi që edhe ty për një bisedë telefonike me 300 mijë euro dhe kjo organizatë kriminale mua më ka mbyllur dosjen. Sinqerisht, ku e mendoni drejtësinë. Prokurori i Përgjithshëm thotë se ka shitur dosjen e vëllait të kryeministrit. SPAK-u është organizatë kriminale. Ju jeni një grup antisistem.

Çfarë doni këtu. Të përgënjeshtrosh ty është më shumë se humbje koke. Departamenti i Shtetit paska pritur një organizatë kriminale dhe ju supozoheni se jeni shpresa e shqiptarëve. Ku doni ta çoni këtë karrocë që ju e quani e djathta shqiptare”, theksoi ai. /ZOOM.AL/