zoom

Aktualitet

Zbardhet “atentati” i Shkodrës, 27-vjeçari u plagos aksidentalisht nga… shoku i tij! (Detajet)

Zbardhet ngjarja në Shkodër, ku një i ri përfundoi i plagosur me një plumb në bark, në spitalin e Shkodrës.

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmë në aksin Shkodër-Velipojë, rreth orës 21:45 në vendin e quajtur “Ura e Gjo Lulit”, në zonën e “Mali Kolaj” dhe fillimisht u mendua për atentat.

I plagosur ka mbetur shtetasi Emiljano Paloka, 27 vjeç banues në fshatin Pulaj në Velipojës, në zonën e plazhit, i cili kishte pasur edhe një sherr me fqinjin ditë më parë.

Menjëherë 27-vjeçari është dërguar drejt spitalit rajonal të Shkodrës duke iu nënshtruar një operacioni ndërsa ndodhet në repartin e reanimacionit në një gjende stabël por nën kujdesin e mjekëve. Mësohet se Paloka ka marrë një plumb në pjesën e barkut, ndërsa ka pësuar një dëmtim të konsiderueshëm.

Menjëherë në vendngjarje mbërritën forca të shumta policie duke nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Sipas burimeve 27-vjeçari ndodhej brenda automjetit bashkë me dy shokë të tij dhe plagosja ka ndodhur brenda në makinë, ku është gjetur edhe gëzhoja e armës së zjarrit. Nga hetimet e para dyshohet se plagosja e shtetasit Emiljano Paloka ka ndodhur padashje nga një prej shokëve të tij, në një shkrepje të pavetëdijshme të armës në lojë e sipër brenda automjetit.

Pas plagosjes menjëherë i riu është transportuar drejt spitalit të Shkodrës nga dy shokët e tij me të cilët ndodhej dhe pasi e kanë lënë në urgjencë janë larguar në drejtim të paditur. Policia ka identifikuar këta dy shtetas dhe po punon për gjetjen e tyre lidhur me këtë ngjarje.

Ndërkohë plagosja ndodhi mes errësirës në aksin Shkodër-Velipojë në një vend ku nuk ka as kamera sigurie ndërkohë që në atë orar nuk ka pasur as dëshmitarë, përveç dy shokëve të 27-vjeçarit që ndodheshin brenda makinës sëbashku me të. Policia dhe prokuroria janë duke punuar për zbardhjen e plotë të plagosjes së shtetasit Emiljano Paloka, teksa kanë izoluar në paraburgim dy shokët. /ZOOM.AL/