zoom

Aktualitet

Tentoi të vriste, kapet pas një viti i armatosur në makinë 19-vjeçari. Tentoi dhe arratinë (Emri)

Një 19-vjeçar ka rënë sot në prangat e policisë së Kurbinit, pasi akuzohet se qarkullonte me pistoletë në makinë.

I riu Paulor Noka tentoi që t’i shpëtonte policisë, por u arrestua pak më vonë. Burime zyrtare thanë se finalizuan operacionin policor të koduar “Lokalizimi”. Operacioni, nga Policia e Kurbinit, me mbështetje të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër.

Në momentin e kapjes, Policia i gjeti 19-vjeçarit, një armë zjarri pistoletë me mulli dhe municion luftarak.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, në bashkëpunim me Forcat Kombëtare të Sigurisë Shkodër (FKS), në kuadër të megaoperacionit policor të koduar “Sundimi i ligjit”, për kapjen e shtetasve në kërkim, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore se një shtetas i kërkuar qarkullonte në qytetin e Mamurrasit dhe dyshohej se ishte i armatosur, organizuan dhe finalizuan operaconin policor të koduar “Lokalizimi”.

Shtetasi në kërkim, sapo ka parë shërbimet e Policisë, është larguar me shpejtësi. Falë ndjekjes dhe ndërhyrjes profesionale, shërbimet e Policisë kanë kapur dhe vënë në pranga shtetasin P. N., 19 vjeç, banues në Mamurras. Në momentin e kapjes së këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën në automjetin e tij, 1 armë zjarri pistoletë me mulli dhe municion luftarak, që i posedonte 19-vjeçari”, tha policia vendore.

Sipas dosjes hetimore rezulton se Noka ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata në vitin 2023, i ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, për veprat penale “vrasja në rrethana cilësuese”, mbetur në tentativë dhe “armëmbajtja pa leje”.

Më datë 25 mars 2023, në Kurbin, adoleshenti dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të banesës së shtetasve K. N., dhe E. N., vëllezër mes tyre.

“Në vijim të veprimeve procedurale janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, arma e zjarrit, municioni luftarak, automjeti me të cilin lëvizte ky shtetas dhe një celular. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme”, tha policia. /ZOOM.AL/