zoom

Aktualitet

Lëvizte i armatosur me makinë nëpër kryeqytet, arrestohet 38-vjeçari. Detajet e aksionit

Një i ri 38-vjeçar u arrestua sot teksa lëvizte i armatosur në kryeqytet, teksa po hetohet për të kaluarën dhe qëllimet e tij. Si provë u bllokua arma pistoletë dhe municioni.

Në zbatim të masave të planit operacional “Sundimi i ligjit”, për goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, u zhvillua operacioni policor i koduar “White”, nga Sektori i Forcës së Posaçme  Shqiponja”.

“Shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në vijim të punës për zbatimin e masave të caktuara në planin operacional “Sundimi i ligjit”, për evidentimin dhe goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “White”.

Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi F. T., 38 vjeç, banues në Tiranë”, thanë burime zyrtare.

Gjatë operacionit, në rrugën “Frang Bardhi”, shërbimet e kanë lokalizuar dhe ndaluar automjetin me drejtues të dyshuarin dhe gjatë kontrollit në çantën e tij të dorës, kanë gjetur një armë zjarri pistoletë me krehër me municion luftarak, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

I ndaluari nuk ka dhënë shpjegime dhe pret daljen në Gjykatë për masë sigurie. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme. /ZOOM.AL/