zoom

Aktualitet

Bardhi: Ja si e shpëtoi Olsi Rama nga arrestimi Genci Xhixhën. E kaloi nga kufiri me makinën e tij

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së Gazment Bardhi, në një deklaratë për mediat, ka zbuluar emrin e një individi, që thotë se ka qenë mik i Olsi Ramës dhe policia nuk e ka përmendur, edhe pse kishte lidhje me laboratorin e kokainës në Xibrakë.

Bardhi deklaroi se Genci Xhixha nuk është identifikuar, sepse ka qenë mik i Olsi Ramës, vëllait të kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama.

“Nuk u arrestua për dosjen e Xibrakës Genci Xhixha, që u kthye nga rruga ditën kur u kryen arrestimet. Të gjithë të arrestuarit morën dënime minimale. Genci Xhixha nuk u gjend asnjëherë nga policia dhe është në kërkim. Ka një arsye. Kreu i organizatës të trafikut të kokainës ishte mik i Olsi Ramës, vëllai i Edi Ramës. Këto janë fakte që ndodhen në dosjen e Xibrakës.

Në dosje provohet marrëdhënia e besimit mes Olsi Ramës dhe kreut të organizatës kriminale që merrej me trafik droge. Policia ka identifikuar çdo person, përpos një personi. Policia di pamjet e personit, di moshën, por nuk e ka identifikuar. Policia e identifikoi të dyshuarin si person që ka një makinë që i është identifikuar targa”, deklaroi Bardhi.

Kreu i grupit parlamentar të PD, ka deklaruar se dyshohet se ka qenë vetë Olsi Rama ai që ka nxjerrë jashtë territorit shqiptar, Genci Xhixhën.

“45 minuta pas arrestimeve, makina me të cilin udhëtonte nuk është regjistruar në të dhënat e TIMS duke lënë dyshimin se mund të ketë nxjerrë Genci Xhixhën jashtë kufirit. Asgjë nga këto nuk është rastësi. Nuk ka rastësi kur me detaje e planifikuan transportin nga Kolumbia të drogës dhe laboratorin në Xibrakë.

Makina me targa AA653 DBM nuk është e vetmja makinë që Olsi Rama përdori bashkë me të dhënat e grupit kriminal. Ata përdorën edhe dy automjete të tjera”, tha ai. /ZOOM.AL/