zoom

Bota

Lufta hibride me Kremlinin, Gjermania përgatitet kundër ndikimit rus

Kërcënimi i Rusisë duke përdorur sulme kibernetike, propagandë dhe taktika të tjera për të ndikuar në opinionin publik në Gjermani është real dhe është në rritje, thotë ministrja e Brendshme gjermane, Nancy Faeser. “Rreziqet kanë arritur një nivel të ri”, tha Nancy Faeser për gazetën Süddeutsche Zeitung.

Paralajmërimi i saj vjen në kohën kur Gjermania përgatitet për zgjedhjet e Parlamentit Evropian në qershor dhe për zgjedhjet në tri lande të Gjermanisë në shtator. Ekziston shqetësimi në rritje se Moska do të përpiqet të fitojë mbështetje për partitë pro-ruse si Alternativa për Gjermaninë (AfD). Gjermania ka qenë prej kohësh një objektiv i operacioneve të ndikimit rus.

 

Që nga fillimi i pushtimit të përgjithshëm të Rusisë në Ukrainë në vitin 2022, shumë prej këtyre operacioneve kanë synuar minimin e mbështetjes për Ukrainën.

“Tani bëhet fjalë për të treguar vendosmërinë dhe forcën përballë kësaj dhe ekspozimin se si vepron pala tjetër”, tha Rüdiger von Fritsch, një ish-ambasador gjerman në Moskë dhe ish-zëvendës president i BND, shërbimi i inteligjencës së jashtme gjermane.

Çfarë është lufta hibride?

Termi “luftë hibride” përshkruan një strategji komplekse që kombinon mjetet ushtarake me metoda jokonvencionale, duke filluar nga rritja e presionit ekonomik deri te përhapja e propagandës. Nuk është një fenomen i ri. Për shekuj me radhë, vendet kanë përdorur mjete joushtarake për të ndikuar në opinionin publik jashtë vendit.

Por gjatë dy dekadave të fundit, rritja e internetit dhe rrjeteve sociale u ka dhënë atyre një arsenal krejtësisht të ri armësh në internet: në ato që njihen si operacione “hack-and-leak”, hakerët fitojnë akses në informacione të ndjeshme ose konfidenciale dhe më pas e lëshojnë atë në mënyrë strategjike për publikun. Sulmet kibernetike mund të përdoren gjithashtu për të rrëzuar infrastrukturën kritike të një vendi, duke përfshirë makinat dhe softuerin e përdorur në zgjedhje. Në të njëjtën kohë, platformat e mediave sociale përdoren për të përhapur informacione të fabrikuara ose të gabuara. “Bota digjitale është një ëndërr e realizuar për shërbimet e inteligjencës”, tha von Fritsch për DW.

Si funksionon kjo luftë?

Lufta hibride shpesh përshkruhet si një formë e “luftës hije” që zhvillohet jashtë syve të publikut dhe nuk shpallet kurrë zyrtarisht. “Koncepti i luftës hibride është se në fillim nuk e vëreni se po ndodh,” tha për DW, Leslie Schübel, një eksperte për Rusinë në Fondacionin Körber me qendër në Hamburg.

Në janar, qeveria gjermane tha se kishte zbuluar një fushatë të koordinuar disinformimi rus në Platformën X, dikur Twitter. Gjatë kësaj fushate janë shpërndarë më shumë se një milion mesazhe përmes profileve të rreme, duke nxitur histori të rreme ose mashtruese, të tilla si ajo, se ndihma për Ukrainën e shkatërruar nga lufta po neglizhonte nevojat e qytetarëve të Gjermanisë.

Duke përhapur mesazhe të tilla në një numër të madh platformash online, Rusia dëshiron të realizojë synimet e saja dhe të nxisë një ndjenjë legjitimiteti rus. Qëllimi, thonë ekspertët, është thellimi i përçarjeve në rrjetet sociale, nxitja e zemërimit dhe mbjellja e mosbesimit në proceset demokratike dhe mediat. “Për Rusinë, përhapja e dyshimit është tashmë një sukses,” thotë Schübel.

Efektet e fushatës

Ndërsa shumica e formave të luftës hibride mbeten në hije, disa operacione bëhen publike qëllimisht. Në fillim të marsit, kreu i televizionit shtetëror rus RT publikoi një bisedë konfidenciale midis zyrtarëve të lartë ushtarakë gjermanë. Afera turpëroi ushtrinë gjermane dhe shkaktoi bujë diplomatike. “Por kjo çështje i shërben edhe Putinit,” thotë Maria Sannikova-Franck, e cila drejton programin e Rusisë në qendrën e mendimit të Berlinit, Zentrum Liberale Moderne.

Në një bisedë të përgjuar mes oficerëve gjermanë, zyrtarët mund të dëgjoheshin duke diskutuar skenarë të mundshëm të një lufte në Ukrainë. Pas publikimit të bisedës, media ruse pretendoi se kaseta zbuloi se ushtria gjermane kishte diskutuar plane të rëndësishme dhe specifike për të sulmuar territorin rus.

“Imazhi që ai (Putini) dëshiron të krijojë është se Gjermania dhe Perëndimi kërcënojnë Rusinë dhe se ai e ka zbuluar me sukses këtë kërcënim”, tha Sannikova-Franck për DW. “Ajo largoi me sukses edhe vëmendjen nga vdekja dhe varrimi i liderit opozitar Alexei Navalny,” thotë Sannikova-Franck.

Navalny, i cili ishte një nga kundërshtarët më të hapur të Putinit në Rusi, vdiq në mes të shkurtit në moshën 47-vjeçare në një burg. Ai u varros më 1 mars, në të njëjtën ditë kur u publikua biseda e përgjuar e oficerëve gjermanë.

Si të luftoni kundër luftës hibride

Përballimi i luftës hibride kërkon një qasje të shumëanshme, bien dakord ekspertët. Vendet duhet të sigurojnë që infrastruktura e tyre kritike, përfshirë teknologjinë e votimit, të jetë e mbrojtur në mënyrë adekuate kundër sulmeve kibernetike. Ekspertët nënvizojnë rëndësinë e informimit të qytetarëve për taktikat e dezinformimit dhe se si çdo informacion që ata hasin në internet mund të dizajnohet qëllimisht për t’i mashtruar dhe manipuluar ata.

“Është e rëndësishme të zbulohen mekanizmat e kësaj propagande – si funksionon, si ndikon tek ne, si ndikon në opinionin”, thotë Sannikova-Franck./DW