zoom

Aktualitet

Ish-bashkëshortja e zv/kryeministrit Arben Ahmetaj paraqitet në SPAK, i komunikohet akuza

Pas thirrjes disa ditë më parë në lidhje me interesin hetimor të dosjes penale, është paraqitur sot në SPAK ish-bashkëshortja e ish-zv/kryeministrit socialist Arben Ahmetaj, Albina Mançka.

Burime nga institucioni i akuzës thanë se i janë komunikuar akuzat në lidhje me fshehjen e pasurisë, pasi ka dyshime për burime të paligjshme financiare. Gjithashtu bëhet me dije se po hetohet edhe për pastrimin e parave, vepër penale e bashkangjitur të parës si procedurë.

Më parë Mançka është pyetur nga prokurorët, në lidhje me pasurinë që ka ndarë me ish-zv/kryeministrin e vendit dhe çfarë informacionesh kishte rreth aktivitetit financiar të tij. Ajo ka mohuar të kishte dijeni për operacionet financiare në fjalë.

Mançka gjatë marrjes në pyetje tha se vilën që i është sekuestruar ia ka lanë shoqja e saj, e cila jeton në Zvicër. Ajo tha se personalisht në emër të saj ka vetëm një shtëpi në zonën e ish-“Bllokut”, në Tiranë.

Arben Ahmetaj, ish-zv kryeministër akuzohet për veprat penale pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe korrupsion pasiv, të lidhura me aferën e inceneratorëve. /ZOOM.AL/