zoom

Aktualitet

Skeda kriminale e të plagosurit sot në Xhafzotaj. Tentoi të vriste para zyrave të ALUIZNI-t më 2015

I plagosuri ditën e sotme në Xhafzotaj, nuk është një emër i panjohur për Policinë dhe Drejtësinë.

Enidor Dedja ka qenë i skeduar rreth një dekadë më parë për plagosje me armë para zyrave të ALUIZNI-t Durrës, ku shkak ishte një sherr i mbartuar prej vitit 2014 dhe përfundoi me përgjakje më 23 shkurt 2015.

I plagosuri ishte Fabian Gashi, teksa për ngjarjen e sotme, nuk përjashtohet edhe hakmarrja për konfliktet e vjetra ndaj Dedjas, i cili ndodhet në spital, me plagë në këmbë. Autor i plagosjes sot është i kërkuari Arbër Hoxha, teksa po verifikohen lidhjet dhe shkaqet.

Policia e Durrësit konfirmonte më 24 shkurt 2015 se kishte shpallur në kërkim 34-vjeçarin në atë kohë, Enidor Dedja, banues në Shijak. Ngjarja ndodhi rreth orës 10.30, pranë zyrave të informacionit të ALUIZNI-t, kur Dedja ka nxjerrë një pistoletë dhe ia ka vendosur në kokë 41-vjeçarit Fabian Gashi, banues në Shënvlash (Rrashbull). Në momentin e gjuajtjes me pistoletë Gashi është shmangur.

Por më pas Dedja e ka goditur me qytën e pistoletës Gashin, duke i shkaktuar dëmtime në fytyrë. Pas mjekimit në spitalin rajonal publik, 41-vjeçari përfundoi në spital. Në vendin e ngjarjes janë gjetur një gëzhojë kalibër 7.62 mm, një predhë e deformuar, si dhe njolla gjaku.

Policia e Durrësit ka arrestuar më 21 gusht 2015, rreth 7 muaj pas ngjarjes, 27-vjeçarin e shpallur në kërkim për tentativë vrasje. Enidor Dedja, nga Shijaku, u akuzua se në sportelin e zyrave të informacionit të ALUIZNI-t, pas një konflikti të çastit, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të Gashit.

Gjykata e Durrësit kishte caktuar ndaj Dedjes masën “arrest me burg”, në akuzën e vrasjes me paramendim të mbetur në tentativë, dhe armëmbajtje pa leje. Teksa aktualisht Dedja ishte i lirë dhe pasi u përfshi në tjetër konflikt, mbeti i plagosur në këmbë.

Historia e konfliktit Dedja dhe Gashi

Enidor Dedja, dhe Fabjan Gashi, të dy 27 vjeç në kohën e konfliktit, fillimisht janë ndeshur fizikisht me njëri-tjetrin në hyrje të zyrës së ALUIZNI-t, pranë zyrës së informacionit. Më pas, Dedja ka nxjerrë pistoletën që kishte me vete duke qëlluar në drejtim të Fabjan Gashit. Fatmirësisht, plumbi i vetëm i shkrehur nuk e ka prekur atë. Gashi i ka shpëtuar plumbit, por jo dhunës fizike. Ai ka pësuar dëmtime në trup e kokë, pasi është qëlluar disa herë nga Dedja dhe më pas është prerë nga xhamat e vetratës ku përfundoi plumbi.

Ngjarja tronditi dhjetëra qytetarë, të cilët prisnin në radhë për të kryer procedurat në zyrat e ALUIZNI-t, por edhe punonjësit, një pjesë e të cilëve u bënë dëshmitarë. Një grua, e cila priste në radhë dhe ndodhej shumë pranë vendit ku përfundoi plumbi, pësoi gjendje të fikëti nga paniku. Menjëherë pas konfliktit, të dy personat u larguan nga vendi i ngjarjes në drejtim të paditur me qëllim për t’iu shmangur Policisë. Kjo e fundit mbërriti në vendin e ngjarjes dhe nisi nga puna për zbardhjen e saj.

Pavarësisht se nuk u ndihmuan nga dëshmitarët, Policia arriti në një kohë të shpejtë të identifikojë dy personat e konfliktuar: Enidor Dedja dhe Fabjan Gashi. Dy të rinjtë kishin një konflikt të mbartur me njëri-tjetrin, i cili kishte nisur rreth një vit më parë për një mosmarrëveshje në parkimin e makinave. Sapo janë përballur me njëri-tjetrin, ata u përplasën fizikisht, dhe më pas situata precipitoi deri në përdorimin e armëve. /ZOOM.AL/