zoom

Aktualitet

Zbardhet plagosja e Shijakut, arrestohet shënjestra pronar servisi. U përgjigj me armë, 2 në kërkim

Një ditë pas plagosjes me armë zjarri në Shijak, të një 36-vjeçari me precedentë të mëparshëm penalë të njëjtë, policia njofton se ka zbardhur ngjarjen e rëndë, duke shpallur në kërkim dy autorët e dyshuar.

Në pranga përfundoi edhe shënjestra e sulmit, pronar i një servisi për pjesë këmbimi, si dhe ka shpallur në kërkim dy persona të tjerë, teksa i plagosuri Endin Dedja, ka marrë plumbin aksidentalisht pasi ndodhej në servis, por pozicioni i tij në ngjarje po verifikohet.

Burime zyrtare thanë se në pranga përfundoi Albano Domi, të cilit iu sekuestrua edhe një armë zjarri pistoletë, të cilën dyshohet se e ka përdorur gjatë sherrit.

Policia sqaroi dy personat e kërkuar, mes tyre Arbër Hoxha si i dyshuar kryesor, kanë qëlluar në drejtim të Domit, por ndërkohë mbeti i plagosur një person tjetër i pranishëm në dyqan.

Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e 2 shtetasve që plagosën me armë 36-vjeçarin, i cili ndodhej në dyqan, gjatë konfliktit.

“Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Shijak, në bashkëpunim me strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në drejtimin e  Prokurorisë, në vijim të hetimeve  të thelluara për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur në një dyqan për pjesë këmbimi, në Shijak, arrestuan shtetasin A. D., 27 vjeç, banues në Xhafzotaj (pronari i dyqanit ku ndodhi ngjarja).

Po në vijim të veprimeve hetimore, u bë shpallja në kërkim e shtetasve A. H., 30 vjeç dhe Xh. P., 33 vjeç, të dy banues në Durrës. Vijon puna intensive për lokalizimin dhe kapjen e tyre”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Nga hetimet rezultoi se për motive të dobëta, shtetasit Arbër Hoxha dhe Xh. P., janë konfliktuar fizikisht me shtetasin Albano Domi, dhe më pas kanë qëlluar me pistoletë në drejtim të tij. Si pasojë e të shtënave është plagosur dhe është jashtë rrezikut për jetën, shtetasi Endin Dedja, i cili ishte në dyqan kur ka ndodhur konflikti.

Po nga hetimet rezultoi se dhe pronari i dyqanit, Domi, iu është kundërpërgjigjur me armë zjarri pistoletë dy të tjerëve.

“Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme për shtetasin A. D., për veprat penale “kanosja” dhe “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, i armëve shpërthyese dhe municionit” dhe për shtetasit A. H. dhe Xh. P., për veprat penale “vrasja me dashje”, mbetur në tentativë dhe “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, i armëve shpërthyese dhe municionit”, theksohet në njoftim. /ZOOM.AL/