Aplikacion
Ai u shpreh se ka vetëm dialog, për të rikthyer jetën normale parlamentare në vend, duke plotësuar kërkesat legjitime të opozitës.
“Për ne normalizimi i jetës parlamentare ka qenë dhe mbetet qëllim i joni. Zgjidhja e kërkesave sjell normalitetin në Kuvend. Grupi parlamentar të PD i qëndron dakordësisë të arritur që dje në Konferencën e Kryetarëve.
Nuk kam qëndrim për çfarë ka thënë Salianji, secili mund të mbajë qëndrimin e tij. Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka mbështetur dakordësinë në parim, për atë që kanë shprehur dje në mbledhje.
Me Ramën ka një dialog për t’i dhënë zgjidhje situatës në Kuvend, situatë që nuk është shkaktuar për shkak të opozitës, por se nuk janë plotësuar të drejtat e opozitës. Më 12 tetor nisi aksioni ynë, pasi na u rrëzuan dy Komisione Hetimore”, deklaroi Bardhi.
Ai ka deklaruar gjithashtu se ditën e nesërme do të dorëzojë një kallëzim ndaj kryeministrit Edi Rama. Ai u shpreh se kryeministri do të hetohet në Parlament. Ndërsa e quajti atë një kundërshtar të çdo shqiptari.
“Ligji për komisionet hetimore është anti kushtetues. Në asnjë rast nuk e kam quajtur ligj të mirë. Hetimi parlamentar është çështje vullneti politik. Nëse mazhoranca do të bllokojë hetimet e ka bërë edhe më parë me ligjin e vjetër.
Kryeministri do të hetohet në Parlament siç është në hetim nga drejtësia për çështje të caktura. Ai është kundërshtar i çdo shqiptari të ndershëm. Normalizimi i jetës parlamentare është çështje brenda parlamentit por nuk ndryshon asgjë nga aksioni jashtë Parlamentit”, tha Bardhi.
Faktori ndërkombëtar ka rritur presionet ndaj dy kampeve politike prej ditësh, duke arritur t’i ulë në tavolinë dhe të gjejnë marrëveshje. /ZOOM.AL/