zoom

Aktualitet

Policia jep detajet e para për hedhjen në erë të garazhit në Lushnjë, pistat e hetimit

Një shpërthim me lëndë plasëse është regjistruar gjatë natës në Lushnjë. Ngjarja ndodhi në lagjen “Kadri Qystri”.

Policia dha sot edhe detajet e para zyrtare nga ngjarja dramatike, e cila mbetet ende pa autorë. Në hetim janë disa pista, ku më kryesorja mbetet hakmarrja për konfliktet e vjetra, si dhe konkurrenca apo sherret banale.

Burime zyrtare bënë me dije se lëndë plasëse i është vendosur derës së garazhit të shtetasit me inicialet A.P. Nga shpërthimi ka pasur vetëm dëme materiale dhe panik te familjarët.

“Në lagjen “Kadri Qystri”, Lushnjë, në derën e garazhit të shtetasit A. P., është hedhur dhe ka shpërthyer një sasi e vogël lëndë plasëse dhe për pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale”, thanë burime zyrtare.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit apo autorëve. Po këqyren pamjet e kamerave të sigurisë në zonë dhe po pyeten familjarët që ishin shënjestër e sulmit. /ZOOM.AL/