zoom

Aktualitet

Mbante 22 kg drogë në banesë, “Big Circle” prangos 48-vjeçarin në Korçë. Emri dhe detajet

Policia në Korçë njoftoi sot se ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Big Circles”.

Në kuadër të ndërhyrjes së agjentëve Antidrogë dhe Patrullave, janë sekuestruar 22 kilogramë lëndë narkotike. Sasia e lëndës narkotike është gjetur na banesën e shtetasit Florand Xhabej, 48 vjeç.

Efektivët vijojnë punën për identifikimin e personave të tjerë, që mund të jenë përfshirë në veprimtarinë kriminale. U sekuestruan përveç 22 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, edhe 1 automjet dhe 1 celular.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Korçë, në vazhdën e operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Big Circles”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi: Florand Xhabej, 48 vjeç, banues në fshatin Vashtëmi, Korçë.

Në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se ky shtetas ushtronte veprimtarinë e paligjshme të prodhimit e shitjes së narkotikëve, shërbimet e Policisë organizuan punën me qëllim lokalizimin e tij. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, në fshatin Vashtëmi, u gjetën 22 kg lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa, e ndarë në pako”, tha policia vendore.

Në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të këtij rasti dhe për vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale. /ZOOM.AL/