zoom

Lajme

PD i kërkon Nikollës anulimin e votimit të projektligjeve: S’kishte kuorum, ishin vetëm 68 deputetë

Seanca e sotme u denoncua publikisht si shkelje dhe falsifikim në votimin parlamentar, për shkak të mungesës së kuorumit nga mazhoranca. Por PS i votoi projektligjet dhe PD njoftoi denoncimin.

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, i kërkon Kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla deklarimin të pavlefshëm të votimit në seancën e sotme plenare.

Shkresën që mban firmën e Gazment Bardhit, e cila i është dërguar për dijeni  edhe Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, argumentohet fakti se votimi është kryer në shkelje të Kushtetutës, pasi nuk është garantuar kuorumi i nevojshëm.

Deputeti Bardhi pretendoi se kuorumi nuk u arrit dhe u bë falsifikim në votim.

 “Një seancë kur edhe pse sipas rregullores nuk kishte kuorum për votim, duheshim 71 deputetë dhe ishin 68, por kjo nuk ndali vrullin e zv/kryetares për të miratuar ligjin për investimet, ligj që i intereson oligarkëve.

Sot në drejtim të seancës nuk ishte Ermonela Felaj por përfaqësues i pesë oligarkëve që përfitojnë nga ligji  dhe tre grupeve kriminale që përfitojnë gjithashtu. Ripërsëris që për opozitën është e rëndësishme që Parlamenti t’i kthehet normalitetit”, tha Bardhi ndër të tjera.

Gjatë ditës së sotme, sipas Bardhit, me 68 vota pro, kaluan projektligji për burimet ujore, projektligji për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr 93/2015 “për turizmin” të ndryshuar, projektligji për investimet strategjike dhe projektligji për një ndryshim në ligjin për mbrojtjen e konkurrencës të ndryshuar. /ZOOM.AL/