zoom

Lajme

Votimi i ligjeve/ Bardhi: Felaj përfaqësuese e oligarkëve! Shehaj: Butrintin ia dhanë Gjiknurit

Nënkryetari i PD, Gazment Bardhi, pas përfundimit të seancës parlamentare, denoncoi aksionin e mazhorancës dhe veprimin e drejtueses Ermonela Felaj, duke shkelur ligjin dhe rregulloren.

Deputeti pretendoi se kuorumi nuk u arrit dhe u bë falsifikim në votim.

 “Një seancë kur edhe pse sipas rregullores nuk kishte kuorum për votim, duheshim 71 deputetë, por kjo nuk ndali vrullin e zv/kryetares për të miratuar ligjin për investimet, ligj që i intereson oligarkëve.

Sot në drejtim të seancës nuk ishte Ermonela Felaj por përfaqësues i pesë oligarkëve që përfitojnë nga ligji  dhe tre grupeve kriminale që përfitojnë gjithashtu. Ripërsëris që për opozitën është e rëndësishme që Parlamenti t’i kthehet normalitetit”, tha Bardhi ndër të tjera.

Kurse deputeti i pavarur, Agron Shehaj, ka lëshuar akuza të forta në drejtim të qeverisë, si dhe ish-ministrit Damian Gjiknuri, se po merr një pjesë nga Parku Kombëtar i Butrintit.

Po ashtu ai akuzoi dhe ish-ministren Olta Xhaçka, që sipas tij po ndërton resort në plazhin e Dhërmiut.

“Kjo është ajo pika e vogël që fliste ministrja e Kulturës, ajo ishte pjesë e parkut Kombëtar të Butrintit. Qeveria e hoqi nga Parku e ja dha Gjiknurit. Plazhi i Dhërmiut, ministra hyri në Politikë me xhepa bosh por tani po ndërton një resort. Ndaj u shty ligji për investimet strategjike.

Këta kanë vetëm një qëllim, të kapin çdo gjë që ka vlerë në bregdetin e vendit dhe të ndërtojnë për veten e tyre dhe familjet e tyre”, tha Shehaj.

Mes kaosit dhe tensioneve, Parlamenti me votat e mazhorancës, votoi ligjet e Investimeve Strategjike, Burimeve Ujore dhe disa akte të tjera të kundërshtuara nga mazhoranca. /ZOOM.AL/