Aplikacion
Shefja e kanalit televiziv rus RT, të mbështetur prej shtetit, Margarita Simonyan, e ka publikuar të premten një audio-incizim prej 38 minutave, duke thënë se në të dëgjohen zyrtarët gjermanë duke diskutuar për sulme kundër Krimesë, gadishullit ukrainas të aneksuar prej Rusisë më 2014.
“Jemi duke hulumtuar nëse komunikimet e sektorit të forcës ajrore janë përgjuar”, ka thënë një zëdhënëse e Ministrisë gjermane të Mbrojtjes për agjencinë e lajmeve AFP.
Në incizim dëgjohen diskutime për mundësinë që forcat ukrainase t’i përdorin raketat gjermane Taurus dhe për ndikimin e tyre potencial. Diskutime ka edhe për shënjestrim me raketa të disa objektivave sikurse një urë që lidh Krimenë me tokën ruse, përmes Ngushticës së Kërçit.
Ekspertët e konsultuar prej revistës Der Spiegel kanë thënë se besojnë që incizimi është autentik.
Kievi kërkon që një kohë prej Gjermanisë që t’i dërgojë raketa Taurus, të cilat mund të godasin një shënjestër deri në 500 kilometra larg.Kancelari gjerman, Olaf Scholz ka refuzuar që të dorëzojë raketat e tilla, me frikën e përshkallëzimit të konfliktit.
“Nëse kjo gjë është e vërtetë, është shumë problematike”, ka thënë politikani i Partisë së Gjelbër Konstantin von Notz, për transmetuesin RND.
Sipas gazetës “Der Spiegel”, videkonferenca nuk është mbajtur në një rrjet sekret të brendshëm ushtarak, por në platformën WebEx./REL/