Aplikacion
Buzëqeshjet, batutat dhe falenderimeve reciproke për miqësi e besnikëri u zvanitën shpejt kur presidenti turk Erdogan i kërkoi edhenjëherë publikisht kryeministrit shqiptar “pastrimin e mbetjeve të FETO në Shqipëri, e cila vazhdon aktivitetet e saj me qëllim për të hedhur hije mbi marrëdhëniet tona”.
“Ne nuk do të lejojmë që kjo të arrijë objektivat e saj dhe shikojmë që edhe autoritetet shqiptare janë të vetëdijshme për këtë. Lufta jonë me këtë strukturë do të vazhdojë dhe falenderoj për kontributin që ka dhënë Fondacionit Turk që vazhdon aktivitetin e arsimit në Shqipëri. Ne kemi bindje se ky kontribut do të vazhdojë dhe periudhën e ardhshme” – tha Erdogan në krah të Ramës.
Edi Rama është përpjekur ta shuajë oreksin e vëllait të madh me disa “gylenistë” të riathesuar, disa të dbuar, por Ankaraja mbetet e pakënaqur. Ajo nuk mjaftohet me ndryshimin e pronësisë së disa shkollave, me arrestimet apo me tundjen e kokës së Ramës e ministrave të tij.
Erdogan po e thotë troç, ashtu si ministri i tij i Jashtëm e tha në Tiranë, që Shqipëria “duhet pastruar nga të gjitha mbetjet e FETO-s”.
Teksa Erdogan i bënte vëllait të vogël këtë kërkesë, në Tiranë, një grup besimtarësh hynë në xhaminë “Dine Hoxha” në rrugën e Kavajës me thirrjet “gylenist, terrorist, nuk je myfti, je pushtues i pozicionit të myftiut, nuk të duam, je gylenist”, për myftiun Laurent Luli. (shih videon në rubrikën lajme të Zoom.al)
Zoom.al mëson se edhe në xhami të tjera grupe të vogla besimtarësh kanë nisur gjuetinë ndaj gylenistëve duke i përçarë myslimanët.
Ergodan nuk ka ndër mend të tërhiqet. Ai ka refuzuar të inagurojë edhe xhaminë e re, për shkak se në krye të Komunitetit Mysliman qëndron një “gylenist”.
Loja sa vjen e bëhet më e rëndë. Edi Rama duket se nuk po e josh dot më me dhurata e premtime autokratin Erdogan. Presioni në rritje po i shkakton atij probleme. Ai duhet ta zgjidhë “ngërçin” me gylenistët.
Burime të Zoom.al thonë se kreut të KMSH, Bujar Spahiut, i është kërkuar dorëheqja nga njerëz të pushtetit, por ai ka refuzuar. Mandati i tij aktualisht është në përfundim, 2019-2024, me afat 5-vjeçar.
Lëvizja e radhës duket linçimi publik i gylenistëve nga besimtarë të tjerë që mendojnë si vëllezërit Rama-Edrogan, një lëvizje e rrezikshme kjo që do të ngatërrojë për herë të parë në Shqipëri politikën me fenë.
DATA E FAKTE
29 dhjetor 2021: kryeministri Edi Rama dërgoi në Turqi kryeparlamentaren Lindita Nikolla për të sheshuar raportet me presidentin turk Rexhep Taip Erdogan. Shkak ishte presioni i Turqisë, që këmbëngulte te masat ndaj gylenistëve. Qeveria ka refuzuar të mbyllë institucionet dhe të ekstradojë gylenistët.
17 janar 2022: Erdogan përsëriti kërkesën për gylenistët në Parlamentin shqiptar.
“Besojmë se edhe miqtë tanë shqiptarë do të kenë parasysh ndjeshmërinë e Turqisë në këtë kuadër më lejoni t’ju them se lufta kundër organizatës terroriste FETO e cila tentoi një grusht shteti në vendin tonë, sulmoi demokracinë, bombardoi parlamentin dhe kuvendin e Republikës së Turqisë si dhe masakroi popullin tonë është një nga ndjeshmëritë tona, të cilës i kushtojmë vëmendje të veçantë dhe fatkeqësisht anëtarët e kësaj organizate, edhe pas 5 vitesh nga tentative për grusht shteti në vendin tonë, vazhdojnë të jenë në Shqipëri, të tregojnë ekzistencën e tyre në çdo fushë, në arsim, shëndetësi, institucione fetare dhe në një pjesë të konsiderueshme të sektorit privat.
Një mik i vërtetë është ai që nuk heziton të të thotë të vërtetën edhe kur kjo është e hidhur. Çështjen e FETO-s ne e shohim si parakusht vëllazërie, miqësie dhe partneritetit tonë strategjik që e shprehim sinqerisht të vërtetën. Ashtu si edhe në Turqi, edhe këtu institucionet e lidhura me FETO kanë agjenda të fshehta, ndaj nuk duhet të keni asnjë dyshim se ata me të ardhur koha do të zbulojnë fytyrat e tyre të vërteta dhe atëherë të gjithë do ta kuptojnë. Njësoj si në Turqi dhe në vende të tjera. Sa më shpejt të shpëtoni nga kjo strukturë helmuese, tradhtare dhe tinëzare që përbën kërcënim për sigurinë kombëtare aq me e sigurt do të jetë e ardhmja juaj. Nëse nuk veproni në kohë është e pashmangshme që tentativat e kësaj strukture do të përsëriten në Turqi dhe në Shqipëri” u shpreh Erdogan gjatë fjalës që mbajti në parlamentin shqiptar, para deputetëve.
29.01 2004: Ministri i jashtëm turk, Hakan Fidan, ripërsëriti në Tiranë dëshirën e Erdogan për të zhdukur “FETO”.
“Me kolegun tim folëm edhe për tema tjera siç është lufta kundra terrorizmit dhe ato rajonale. Diskutuan për mbetjet e fundit të FETO-s që kanë mbetur në Shqipëri. Prandaj treguam ndjeshmërinë që ka Turqia ndaj kësaj çështjeje. Diskutuam se çfarë hapash mund të hidhen konkretisht për këtë”, tha Fidan.
/ZOOM.AL/
Trump emëron këshilltarin e vjetër Keith Kellogg, si të dërguar special për Ukrainën dhe Rusinë