Aplikacion
Tek lavdëronte me fjalë të zgjedhura dhe i kryente qokat secilit prej zullumqarëve, përgjegjësve të situatës katastrofike të përshkruar me aq korrektesë dhe fakte konkrete në raportet e Departamentit të Shtetit dhe të CIA-s…
Blinken… Biden… “Blinden”, (që në anglisht do të thotë i verbër), e ngatërrova një moment në mënyrë të pavullnetshme…
Në fakt ngatërresën po e shihja me sy, live, ndërsa vërtetë si një të verbër Sekretarin e Shtetit e drejtonin nga një i lig tek një edhe më i lig…
Si një i verbër erdhi dhe iku nga një vend ku parlamenti nuk funksionon (?!), ku kryeministri dhe qeveria vjedhin haptazi, brutalisht (?!), ku përgjegjës për korrupsionin endemik e të përhapur në çdo zyrë të administratës rezultojnë zyrtarët e nivelit të tretë (?!), ku raporti për zgjedhjet është identik me atë të Vuçiçit dhe niveli i demokracisë i njëjtë me atë të Putinit (?!)…
Ku arrestohen opozitarët që denoncojnë vjedhjen me fakte e prova, madje edhe gazetarët që disponojnë komunikimet e kryeministrit me bandat më të rrezikshme në glob…
Ku “pavarësinë” e drejtësisë “e garanton” vetë kryeministri dhe partia e tij, e vetmja në pushtet”, të cilët haptazi dëshmojnë se “drejtësia e re” është krijesë e tyre…
Erdhi dhe iku si një i verbër që memorizon vetëm çfarë i përshkruajnë në vesh, në një Tiranë të stolisur në nder të tij me flamujt amerikanë, që për këtë komb të robëruar janë flamujt e lirisë e jo thjesht flamuj të një shteti mik.
Janë flamujt e “Zotit” në tokë, atij që nuk i duron dot regjimet, opresorët, hajdutët, domethënë ata që mishërojnë anti-vlerat, krejt të kundërtën e asaj që Amerika ka në themel të saj.
Erdhi, qëndroi disa orë dhe iku duke u sjellë si “blinde”, si i verbër, ndaj së vërtetës së kobshme që po përjetojmë por, duhet falenderuar nga zemra sepse na zgjoi nga ëndrra e ëmbël, romantike e pritjes së shpëtimtarit, pritjes së “Zotit” që të sjell lirinë, në pak orë… aq sa ç’zgjat një film aksion i Holivudit, me happy end…
Duhet falënderuar sepse me verbërinë e tij dëshmoi se ai “Zot” nuk ekziston, e nëse lirinë, demokracinë, drejtësinë e drejtë e pret prej tij mbetesh në robëri.
Duhet falënderuar sepse na dëshmoi që “Zoti” që të siguron lirinë jemi vetëm ne vetë, të bashkuar!
Personalisht e falenderoj edhe për një “harresë” në agjendën që i kishin përgatitur: Dvoranin!
Verbërisht ia çuan në tryezë para 2 vitesh, për ta dekoruar si “kampion të anti-korrupsionit”, në një vend ku një kampionat i tillë nuk zhvillohet dot sepse fushën, arbitrimin dhe rezultatin e e nxjerr korrupsioni.
Ndër tërë zullumqarët që verbërisht takoi dhe falenderoi, të përzgjedhurin e tij si “hero anti-korrupsioni” në 7.5 miliardë shpirt që popullojnë këtë glob… e harroi…
Farewell Mr. Secretary “Blinden”, dhe faleminderit, sinqerisht!