Aplikacion
Në 23 janar të këtij viti, administrata e Emirjana Sakos ka paguar rreth 180 milionë lekë të vjetra për shërbimin e depozitimit dhe djegies së mbeturinave në landfillin privat të shoqërisë “Integrated Energy BV”.
Vetëm pak ditë më vonë, në 29 janar 2024, bashkia e Erion Veliajt paguan plot 1.6 miliardë lekë të vjetra, të cilat u korrespondojnë faturave për periudhën tetor-nëntor të vitit të kaluar, për shërbimin e depozitimit dhe incenerimit të mbetjeve urbane.
Vlera e paguar nga dy bashkitë e Rilindjes vetëm këto ditët e fundit e kalon shifrën e 1.8 miliardëve të vjetra ose rreth 1.8 milionë euro.
Bashkia e Tiranës dhe Durrësit vijojnë me këmbëngulje të paguajë tarifat e plota, ndërkohë që shoqëria koncesionare ende nuk ka ndërtuar impiantin e djegies së mbeturinave.
Kompania “Integrated Energy bv” është nën sekuestro prej gushtit të vitit 2023, në kuadër të hetimit që po zhvillon Prokuroria e Posaçme për veprat penale të korrupsionit të zyrtarëve të lartë dhe pastrimit të parave.
Në vendimin e Gjykatës së Posaçme për sekuestron e kompanisë koncesionare, theksohej se tarifa që paguajnë bashkitë për depozitimin dhe incenerimin e mbetjeve, është e fryrë dhe abuzive.
Më herët, në një konkluzion të tillë ka dalë edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili i sugjeronte qeverisë së Edi Ramës dhe Bashkisë së Tiranës që të negocionin çmimin, për sa kohë kompania nuk kryente incenerimin e mbetjeve.
Deri më tani, institucionet përgjegjëse nuk kanë kryer asnjë përpjekje për të ulur çmimin e tarifës 29 euro për ton, sipas rekomandimeve të Gjykatës së Posaçme dhe KLSH-së.
Veliaj dhe Sako vijojnë të paguajnë miliardat për kompaninë me pronarë “de fakto” Klodian Zoto e Mirel Mërtiri, ndërkohë që shumë të dhëna tregojnë se hartimi dhe zbatimi i kontratës koncesionare është shoqëruar me shkelje të rënda ligjore.
Për aferën e landfillit të Tiranës, aktualisht janë të arrestuar dhe nën hetim 10 persona, pjesa më e madhe e të cilëve zyrtarët që kanë qenë pjesë e Komisionit të Koncesionit.
Për Partinë Demokratike, personat përgjegjës për aferën qindra milionë euro të Sharrës janë kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.
SPAK, deri më tani, nuk ka dhënë asnjë sinjal se do të përfshijë në hetim këta dy zyrtarë të lartë, të cilët, me firmat e tyre, i dhanë jetë projektit korruptiv.
“Make America Great Again”, Trump: Sot dita më e rëndësishme në histori, dilni dhe votoni!