zoom

Aktualitet

Skandali, 35-vjeçari mbante të burgosura nënën, gruan e vajzën! I ruante me kamera, bllokonte valët

Një tjetër ngjarje e rëndë është zbuluar në Tiranë. Mbante mbyllur në banesë gruan, nënën dhe vajzën, arrestohet 35-vjeçari i dyshuar.

Shtetasi identifikuar si Jetnor Zhaboli po ashtu ushtronte dhunë fizike dhe psikologjike mbi gruan e tij vazhdimisht.

Komisariati i Policisë Nr. 1, në bashkëpunim me Seksionin për Parandalimin e Dhunës në Familje dhe Mbrojtjes së të Miturve, njoftoi se parandaloi sot një ngjarje e mundshme kriminale në familje.

“Mbante të mbyllur në banesë nënën, bashkëshorten dhe vajzën e tij të mitur, sa herë që ai largohej, duke ju ndaluar komunikimin me persona të tjerë, si dhe ushtronte dhunë fizike dhe psikologjike, në mënyrë të vazhdueshme, ndaj bashkëshortes, kapet dhe vihet në pranga 35-vjeçari”, tha policia.

Ndërhyrja u bë pas informacionit të marrë se një shtetas, ushtronte dhunë në mënyrë të vazhdueshme ndaj bashkëshortes së tij, si dhe e mbante të mbyllur atë, nënën dhe vajzën e tij, sa herë ai largohej nga banesa, menjëherë kanë organizuar punën për dokumentimin e plotë ligjor të rastit, dhe vënien e autorit të dyshuar, përpara përgjegjësisë penale.

“Si rezultat, falë reagimit në kohë të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1, u arrestua shtetasi J. Zh., 35 vjeç, banues në Tiranë.

Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se 35-vjeçari, ushtronte dhunë në mënyrë të vazhdueshme ndaj bashkëshortes së tij, të cilën e mbante të mbyllur në banesë, së bashku me nënën dhe vajzën e tyre të mitur.

Gjithashtu, nga verifikimet e kryera ka rezultuar se 35-vjeçari, sa herë largohej nga banesa, i monitoronte me kamera dhe ju bllokonte valët e telefonit, duke mos i lejuar të komunikojnë me asnjë person”, sqaruan burimet zyrtare.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshën Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale. /ZOOM.AL/