Aplikacion
Policia e ka arrestuar bashkëshortin, Xhemal Lokën nën akuzën e nxitjes në vetëvrasje.
Loka pretendon se gruaja e tij po përjetonte një traumë për shkak të bullizimit në TikTok. Bedria kishte bërë një denoncim një vit më parë. Dikush i kishte postuar një foto në rrjetin e njohur social dhe e akuzonte për lidhje jashtëmartesore dhe për prostitucion.
Bashkëshorti thotë se ai e kishte pranuar versionin e saj se gjithçka ishte sajesë. Të afërmit e tij, nëna dhe vëllai, e pranuan ekzistencën e fotos në TikTok.
Por fëmijët e të ndjerës japin version tjetër. Ata e kanë akuzuar babain e tyre për dhunë dhe presion psikologjik. Ai jetonte në Greqi dhe sipas tyre, sa herë vinte në Durrës, kishte sherre.
Madje djali i madh ka dëshmuar se e kishte dëgjuar t’i thoshte nënës në telefon se “do e bënte të vriste veten”.
Disa video që qarkulluan në internet, të publikuara edhe nga Zoom.al treguan momente debatesh të ashpra mes Xhemal e Bedrie Lokës. Bashkëshorti dëgjohet duke e sharë e kërcënuar, por nuk është e qartë se si ka nisur debati dhe si ka përfunduar ai. Gjithçka zhvillohet në sytë e djalit të tyre, i cili qëndron në mes si për të mos lejuar një përplasje fizike.
Burime policore thanë për “ZOOM.AL” se në telefonin e Xhemalit janë gjetur edhe mesazhe kërcënuese. Ai i mohon konfliktet në familje.
Por edhe vajza e çiftit duket se ka qenë dëshmitare e natës tragjike. Ajo konfirmoi se e ëma i kishte thënë se “debatoi përsëri me babin” dhe kur ajo i ishte përgjigjur “akoma me këtë muhabet”, Bedria i kishte thënë se “do t’u jepte fund” ajo.
Vajza tregoi edhe një episod kur Xhemali e kishte ndaluar ditën e ngjarjes Bedrien, që të vizitonte për Vitin e Ri nënën e saj të sëmurë.
Dy fëmijët kanë dëshmuar gjithshtu se Xhemali një herë e “kërcënoi me thikë se do e vriste”. Edhe familjarët e viktimës, vëllezërit Bushi, deklaruan se i dyshuari ishte agresiv dhe e keqtrajtonte prej vitesh motrën e tyre. Vajza ka folur edhe për ekzistencën e disa letrave që babait i vinin nga një grua franceze, të cilat i kishin rënë në dorë mamasë së saj, çka e kishte tronditur dhe kishte shkaktuar konflikte të tjera mes çiftit.
I dyshuari kishte qenë emigrant në Francë dhe ishte arrestuar, dënuar dhe më pas dëbuar për drogë. Në këto kushte kishte zgjedhur Greqinë për emigrim.
Njëri prej vëllezërve të viktimës foli për keqtrajtim të saj nga bashkëshorti.
“Bedria kishte 23 vite martuar dhe nuk ka një ditë të bardhë, por vec 23 vite të zeza”, tha një prej tyre, teksa tjetri e çoi më tej, duke thënë se “dihej se si ishte ai, vinte bënte nga një fëmijë dhe ikte!”.
Nga hetimet e deritanishme rezulton se fotoja e publikuar në TikTok ka qenë zanafilla e gjithçkaje. Postimi dyshohet se ka për autore vajzën e tezes se viktimës, por ky version nuk është verifikuar ende.
“Kjo është ajo k… që shkon me burra për lekë!” – shkruhej në postim.
E traumatizuar Bedria depozitoi denoncim dhe njoftoi të shoqin. Pas sqarimit me të i kishin kërkuar që ta hiqte, por ajo refuzoi.
Hetimet e Policisë vijuan dhe pritet që hetimet ndaj kushërirës së viktimës të thellohen, për të zbuluar edhe shkakun e denigrimit. Verifikimet treguan se ajo e kishte hequr profilin dhe foton vetëm pasi ndodhi vetëvrasja. Prokuroria pritet të komunikojë me homologët italianë për ta hetuar të dyshuarën.
Por duket se kësaj situate i është shtuar edhe dyshimi dhe akuza brenda familjes, për humbjen e 40 mijë eurove. Ka qenë nëna e autorit të dyshuar, vjehrra e Bedries, që e ka informuar të birin për ngjarjen.
7 ditë nga ngjarja tragjike nuk është ende e qartë se kush ishte pika që derdhi gotën: nëse Bedria nuk e përballoi dot bullizimin apo sjelljen e bashkëshortit. Prokuroria dhe Policia po përpiqen t’i japin përgjigje pikërisht kësaj pyetje. Ekspertët e kriminalistikës thonë se “shkaktimi i vetëvrasjes” është një akuzë e rëndë për t’u faktuar.
Bashkë me hetimet po vijon edhe debati që shkaktoi ngjarja, si përsa i përket ndikimit që kanë rrjetet sociale ashtu edhe për fenomenin e dhunës në familje, që në Shqipëri vijon të mbetet plagë e rëndë. /Zoom.al