zoom

Aktualitet

DOSJA e plotë për inceneratorin e Tiranës: Akuza, komision hetimor dhe sekuestro

Afera e inceneratorëve nisi në vitin 2014 me një vendim të qeverisë për të shpallur një emergjencë mjedisiore, si justifikim për të dhënë koncesionin e inceneratorit të Elbasanit. I njëjti grup kompanish mori më pas koncesion për incineratorin e Fierit dhe atë të Tiranës. Koncesionet janë sekuestruar nga SPAK, ku rasti më i fundit ishte ai i gushtit, kur u vendos nën sekuestro inceneratori i Tiranës, më i madhi prej të treve.

Akuzat e opozitës

Opozita prej vitesh e ka patur aferën e inceneratorëve një kalë të fortë beteje, kundër qeverisë së Kryeministrit Rama, i cili në mënyrë të përsëritur, i ka mbrojtur publikisht projektet e inceneratorëve, të cilat kanë çuar përballë drejtësisë, ish ministrin e Mjedisit Lefter Koka, ndërsa ish zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, është shpallur në kërkim ndërkombëtar. Në bankën e të akuzuarve është dhe ish deputeti Alqi Bllako si dhe zyrtarë të ndryshëm të institucioneve qëndrore dhe lokale.

Në gati çdo dalje të tijën, lideri i opozitës e ka kryefjalë aferën e inceneratorit të Tiranës, duke akuzuar Erion Veliajn si përgjegjësin kryesor.

“Në vjedhjen e shekullit, Erion Veliaj renditet pas Edi Ramës, hajduti më kryesor.

Kjo sepse djegësi i Tiranës apo me të drejtë mund të quhet djegësi i Erion Veliajt, i kontraktuar si koncesion për 128 milionë euro dhe me afat 30-vjeçar, është afera në total prej 680 milionë euro, pra 24 herë më e madhe se djegësi i Elbasanit.

Djegësi i Tiranës apo djegësi Erion Veliaj është afera më e rëndë gjer më sot, sepse në këtë aferë, Rama dhe Veliaj u kanë grabitur shqiptarëve 110 milionë euro dhe sot pas gjashtë vitesh nuk ekziston asnjë gjurmë e tij.

Po të kemi parasysh se vetëm në 6 vite janë shpenzuar 110 milionë euro, djegësi i Veliajt do u kushtojë taksapaguesve në 30 vite deri në 720 milionë euro”, deklaronte pak muaj më parë Sali Berisha.

Komisioni hetimor për inceneratorët

Partia Demokratike inicioi hetimin parlamentar për “aferën e inceneratorëve” dhe megjithë konfliktin politik mes palëve që çoi në ngecjen e hetimit në fund të janarit, arriti të tërhiqte vëmendjen e publikut drejt debatit për ligjshmërinë e këtyre kontratave në disa seanca maratonë dëshmish me zyrtarë të lartë, ndër ta dhe kryeministri Edi Rama.

Nuk munguan as vizitat e Komisionit Hetimor për Inceneratorët në inceneratorin e Sharrës në Tiranë, ku mes të tjerash, deputetë të opozitës vunë re publikisht se aty nuk bëhet incenerimi, por ka vetëm landfill.

Në fund të komisionit, PS dhe PD dolën me raporte të kundërta për inceneratorët.

Kryetarja e komisionit, Jorida Tabaku deklaroi se gjatë hetimit ishte vërtetuar se institucionet përgjegjëse kishin shkelur ligjet në fuqi në dhënien e tre kontratave koncesionare dhe se përfituesit e tyre kishin krijuar skema korruptive dhe pastrimi parash.

Kryetarja e komisionit, Jorida Tabaku prezantoi një raport me 120 faqe të hartuar nga opozita me gjetjet hetimore në bazë të dokumenteve dhe dëshmive të dhëna në komision. Sipas saj, nga vlera e parashikuar prej 430 milionë eurosh për tre kontratat koncesionare, vetëm 1/3 e këtyre fondeve i korrespondon vlerës reale të ndërtimit të inceneratorëve.

Në përfundimet e tyre, demokratët listuan emrat e 50 zyrtarëve të lartë dhe dytësorë apo punonjës administrate që kanë qenë të lidhur me këto procedura, për të cilët thanë se do të ngrenë padi në SPAK si përgjegjës për ndërtimin e një skeme të madhe korruptive.

Partia Socialiste me mazhorancë numerike në këtë komision prezantoi një raport të kundërt me atë të opozitës, ku flitej përgjithësisht për situatën mjedisore në vitin 2014, kur nisën procedurat e koncensioneve për ndërtimin e inceneratorëve. Nënkryetarja Ermonela Felaj tha se gjatë punës së tij, komisioni kishte shkelur ligjin ku bazohet dhe ka marrë atribute ligjore që nuk i takojnë. “Komisioni bëri shkelje proceduriale dhe përmbajtësore në mbledhjen e informaconit dhe pyetjen e dëshmitarëve,” tha Felaj.

Auditimi i KLSH

Në një raport auditimi të Kontrollit të Lartë të Shtetit të vitit 2022 vlerësohet se koncesioni për inceneratorin e Tiranës ka mungesa dhe paqartësi në lidhje me propozimin paraprak të projektit, kostot nuk janë përllogaritur saktë dhe nuk janë identifikuar qartë risqet, si dhe ka keqorientim të politikave për reduktimin e mbetjeve. Institucioni suprem i auditit të jashtëm në Republikën e Shqipërisë konfirmon se projekti është i papërballueshëm për buxhetin e shtetit dhe jashtë tavaneve buxhetore.

Raporti vë në dukje se procedura konkurruese për dhënien e këtij projekti me koncesion nuk është kryer në përputhje me parimet e transparencës dhe përcaktimet ligjore, se në studimin e fizibilitetit parashikohet që pagesa totale për një kohëzgjatje të projektit prej 30 vjetësh të mbulohet përkatësisht nga: a) qeveria shqiptare në masën 130,8 milionë euro pa TVSH, b) ndërsa nga buxheti i bashkive në masën 91,7 milionë euro (pa TVSH).

Ai konstatonte se prej vitit 2018, Bashkisë së Tiranës i janë dyfishuar kostot e pastrimit të qytetit, pikërisht për shkak të pagesave që ajo duhet t’u bënte inceneratorëve. Vetëm për periudhën 2018-2020, kjo bashki ka paguar rreth 3.2 miliardë lekë shtesë [26.5 milionë euro], krahas kostos së pastrimit prej 3.9 miliardë lekësh [32,3 milione Euro]. Këto shifra nuk përfshijnë pagesat e vitit 2022 dhe gjysmës së parë të vitit 2023.

Por më alarmant është konstatimi se prej vitit 2018, Bashkia e Tiranës ka paguar tarifën prej 29 euro/ton për incenerimin e mbetjeve urbane për një shërbim ende të pakryer, duke theksuar se “për shërbimin e depozitimit dhe trajtimit të mbetjeve, vihet re se si pasojë e mos përfundimit të ndërtimit të impiantit të trajtimit të mbetjeve, Koncensionari ende sot nuk ka trajtuar dhe asgjësuar asnjë sasi mbetjesh të marra në dorëzim. Pavarësisht moskryerjes së procesit të trajtimit të mbetjeve, Bashkia Tiranë ka vijuar të kryejë pagesat e plota të tarifës për këtë shërbim”.

Sekuestrimi nga SPAK

Më 1 gusht të këtij viti SPAK urdhëroi sekuestrimin e kompanisë që operon kontratën e incineratorit të Tiranës, pasi njoftoi se hetimi paraprak ka zbuluar se Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri janë pronarët e vërtetë të projektit dhe se kompania ka lëshuar miliona euro fatura të falsifikuara, të paguara nga taksapaguesit e Tiranës, Durrësit e bashkive fqinje me të.

Sipas prokurorisë, nga hetimi “ka rezultuar se shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri janë pronarët “de facto” të shoqërisë “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k, e cila ka fituar kontratën koncesionare “Ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitimi i vendepozitimeve ekzistuese, Tiranë”, si dhe janë pronarët “de facto” të shoqërisë mëmë të saj, të themeluar në Hollandë, “Integrated Energy B.V”, ndryshuar më pas me emrin “Geogenix B.V”.”

“Nga provat e marra gjatë hetimit ka rezultuar se, shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri kanë përdorur persona dhe shoqëri të tjera për të fshehur gjurmët si pronarët e vërtetë të shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k,” thuhej në njoftimin e SPAK./ Zoom.al