Aplikacion
Breçani u arrestua bashkë me shefin e krimeve të Komisariatit nr. 6, teksa djali i tij Eralbi është ende në kërkim. Në total dosja ka 11 persona me fletë-arresti, një pjesë e të cilëve në kërkim, bashkë me kreun e grupit të akuzuar, biznesmenin Ervin Mata. Ky i fundit dhe familja Breçani rezulton se kishin dhe krushqi mes tyre, pasi i biri ishte i lidhur me motrën e Matës.
Disa media raportuan se Erzen Breçani nuk është i njohur vetëm ditën e fundit, pasi ai njihet si një ndër njerzit që ka përfituar më shumë në vitet e fundit nga fondet publike, falë regjistrimit të kompanive në të afërmëve.
Madje sipas tyre, “përgjimet zbuluan se ish-zv.drejtori i Policisë së Tiranës, ishte pronari i vërtë i një HEC-i në veri të Shqipërisë”. Më tej se ai i kërkonte Ervin Matës 500 mijë euro, pasi kishin ngecur punimet. Në përgjimet e “SKY ECC”, del se Mata i thotë Breçanit se do t’i kalonte paratë përmes llogarisë së këngëtares Elvana Gjata, edhekjo nën hetim pasuror nga ana e SPAK-ut, bashkë me të gjithë personat që përmenden në dosje.
“Pavarësisht se në dokumente, ky HEC është në pronësi të Fatbardh Breçanit, kuptohet se ai është kamuflazhi i pasurive të vëllait të tij tashmë i arrestuar Breçanit”, raportohet më tej. Po ashtu edhe kompania “BRECANI R.O.S.P. Shpk”, është në pronësi të Fatbardh Breçanit, por që ka indicie që pronari i vërtetë i kësaj shoqërie, të jetë vetë ish-nëndrejtorit të Policisë.
Pak ditë para se Erzen Breçani të vendosej në pranga, kompania “BRECANI R.O.S.P. Shpk”, ka fituar tenderin pa garë me vlerë 69231364 lekë pa TVSH, ose ndryshe 99.4 të fondit limit, të ruajtjes së godinave të Ujësjellës Kanalizim Tiranë, institucion në varësi të Bashkisë Tiranë. Pra rezulton se institucioni që drejton kryebashkiaku socialist Erjon Veliaj, i ka dhënë tender Breçanit para arrestimit, për policinë private.
Por gjërat referuar dosjes së përgjimeve, duket se nuk janë kështu si më sipër. Vërtetë Mata dhe Breçani kanë lidhje miqësie mes tyre për shkak të çiftit të ri; motra e Matës me djalin e Erzen Breçanit, por biseda e kapur në SKY duket se nuk bëhet për pagesën e Matës në lidhje me detyrimet e HEC-it, si investim i Breçanit.
Në bisedat e dekriptuara tashmë dhe tabulatet e transkriptuara, prokurorët kanë kuptuar se mes tyre nuk shkonte diçka dhe sebepi i konfliktit ka qenë se ish-nëndrejtori ka mësuar për punët e të birit, për të cilat në GJKKO u shpreh se e kishte këshilluar Eralbin të qëndronte larg punës së drogës.
Në këtë vijim situate, Breçani ka qenë i pakënaqur me Matën dhe të birin dhe bisedat mes tyre ishin të tensionuara. Sipas burimeve të “ZOOM.AL”, Mata i ka ofruar referuar përgjimit, 500 mijë euro Breçanit nga llogaria e Elvana Gjatës, por më tej në transkripte rezulton se ish-kryepolici i ka refuzuar dhe s’i ka pranuar këto para.
Breçani nuk ka qenë dakord me punët e të birit dhe nuk ka pranuar të përzihet në një transfertë nëpërmjet Ervin Matës e që do shkonte për HEC-in, sipas raportimeve.
Kurse në lidhje me kompaninë e policisë private, rezulton se ajo është aktive prej vitesh dhe merr tenderime për siguri fizike nga institucione shtetërore, por edhe subjekte private, sikurse të gjitha kompanitë e tjera, referuar ekonomisë së tregut kërkesë-ofertë. Dhe deri tani nuk ka denoncim apo hetim nga SPAK për shkelje barazie, falsifikim dokumentesh apo tender i paracaktuar. /ZOOM.AL/