Aplikacion
Ambasadori i Gjermanisë, Karl Bergner bëri thirrje për të dyja palët të dialogojnë, duke shtuar se problemet nuk mund të zgjidhen me dhunë sepse në këtë mënyrë Parlamenti nuk ushtron detyrën kushtetuese.
“Po ndjek me shqetësim zhvillimet e fundit në Kuvendin e Shqipërisë. Qytetarët/et e Shqipërisë presin me të drejtë nga parlamenti i tyre që të jetë një forum, ku anëtarët e të cilit të mund të prezantojnë dhe diskutojnë hapur propozime të ndryshme politike. Ky shkëmbim duhet të zhvillohet në paqe dhe të drejtohet nga rregullat, që i ka përcaktuar vetë parlamenti.
Ndaj u bëj thirrje anëtarëve të shumicës dhe opozitës në Kuvend që të bashkëpunojnë, me qëllim që të garantojnë, që parlamenti të plotësojë rolin e tij thelbësor kushtetues: kontrollin e ekzekutivit dhe ligjvënien në interes të qytetarëve/eve të përfaqësuar përmes deputetëve“, thuhet në reagimin e ambasadorit gjerman.
Edhe ambasada britanike dhe ajo amerikane nënvizoi se kjo situatë nuk i shërben interesit qytetar.