zoom

Aktualitet

Rrëfimi ndryshe i Elsa Lilës, në podcastin e Ramës: Dy muaj burg, izolim…

Këngëtarja Elsa Lila ka qenë e ftuara e radhës në podkastin ‘Flasim” të kryeministrit Edi Rama, ku u ndal te karriera, por edhe ngjarjet e kanë përfshirë kohët e fundit. Bashkë me kryeministrin Edi Rama, kujtuan vitin 2010 kur Elsa Lila iu bashkua grevës së urisë që organizoi atëherë Partia Sociale, për çështjen e zgjedhjeve të 2009.

PS, në atë kohë në opozitë, me në krye Edi Ramën, vinte në qendër të kauzës së saj transparencën e zgjedhjeve parlamentare të 2009-ës, si dhe hapjen e kutive të votimit. E ndërsa Lila e konsideroi ‘eksperiencë fantastike’, kryeministri Rama e konsideroi ‘çmenduri fantastike’. Po ashtu Elsa Lila kujtoi dy muajt e saj në qeli në Itali kur u arrestua pasi u akuzua si pjesëtare e një grupi të trafikut të drogës. e cilëson si ngjarjen më të rëndë në jetën e saj.

“Dy muaj në burg dhe dy javë në izolim në një dhomë pa dritare pa pasqyrë. Ditët janë të gjata nuk mbarojnë kurrë. Nuk ke sensin e orës. Orientohesha me vaktet që servireshin. Nuk kishte as dritë dielli. Është një moment kufiri kur ti e di që je e pafajshme e do të dalësh që aty e kohën e shpenzon për të menduar spiritualisht për të arritur një shkallë më lart, ose shkon mbrapsht dhe nuk kthehesh më.

Nuk kam ngrënë, nuk kam pirë. Nuk kam fjetur në krevat. Kam qëndruar në karrige. U mundova dhe ta dua atë dhomë që të mos shqetësohesha shumë. Muret ishin me emra, data, poezi. Kishte shumë për të parë dhe fantazuar. Kishte shumë energji të lënë aty brenda. E përdora si mjet për meditim dhe jo mjet autoshkatërrimi”, rrëfeu këngëtarja.