Aplikacion
Në Shqipni përherë gjenden “skuadra vullnetarësh, Legjionesh të Shenjta, agjentësh vullnetarë” që futen lehtësisht në veprim, ngrihen kundër flamurit, gjuhës shqipe, shtetit, institucioneve, identitetit nacional, trashëgimisë kulturore që na ban krenar, monumenteve të kulturës, heronjve të traditës, kujtimi i të cilëve na ka formësue, pasurisë publike, historisë dhe qenies sonë europiane.
Kujtoj këtu se si esadistët e ripërqendruar në Durrës, rivalizuan në mënyrë vdekjeprurëse qeverinë kombëtare të Ismail Qemalit, Dom Nikoll Kaçorrit, Luigj Gurakuqit dhe etërve shtetformues, ose se si renegatët e deformuar vorioepirotistë dhe otomanistë goditën Principatën Shqiptare të njohur ndërkombëtarisht, shkatërruan Shqipërinë e ndërtuar me aq mundim nga Rilindasit me përkrahjen austro-hungareze.
Ndërkohë, të gjithë ne përjetojmë zhdukjen e elitës së kombit në vitin 1945-1949, sikurse kemi ende jehonën e vitit 1997, kur brenda pak ditëve, drejtimi i brendshëm politik, servitorët e atyre që donin një shtet sa ma të dobët dhe të çatrafiluar shqiptar, kontrolluesit e një shteti të ndërtuar mbrapsht institucionalisht, politikisht dhe nacionalisht, kthyen me një shpejtësi marramendëse në gërmadhë vendin, nga Jugu në Veri.
Këto ditë, ndërkohë që në Parlament vijon një përplasje e dëshpëruar me qitje të largët kundër përpjekjeve për rindërtim të një shteti të drejtë, në Kepin e Rodonit, aty ku ndodhet Kalaja e ndërtuar nga Gjergj Kastrioti, heroi kombëtar, rrënojat e disa manastireve dhe kisha e vjetër romako-gotike e Shna Ndout, të gjitha prona të Provincës Françeskane të Shqipërisë, pjesë e Kishës Katolike, po zhvillohet një betejë e re rrënimtare, kundër të drejtës së përcaktuar, trashëgimisë sonë nacionale, një pjese të historisë krenare dhe të drejtave të komuniteteve religjioze.
Dhe nuk është një betejë mes Pronarëve Historikë dhe Shtetit, por është një përplasje mes andërruesve për zaptim, ndërkohë që Shteti, Ministria e Kulturës, Policia e Shtetit bëjnë sehir, ose kryejnë vetëm veprimet post-factum gjyqësore.
Ndodh vetëm në Shqipni kjo lloj drame e rrezikshme kur dalzotësit që mbijnë nga hiçi, kthehen në protagonistë të proceseve në të cilat rregullator do të duhej të ishte shteti që nuk bzan.
Nuk është sulmi i parë ndaj Kepit të Rodonit.
Me 8 shtator 2020, ky vend i shenjtë kombëtar u rrethua me orë të tëra nga flakët e zjarrvënësve të paidentifikuar.
Aso kohe pata shkruar se: bëhet fjalë për zjarrvënien ndaj monumenteve historike me randësi të posaçme, ndaj një ndërtese, që i takon arkitekturës romaniko-gotike të shek. XIII, që ndodhet afër Kalasë së Skandërbegut; bëhet fjalë për fshirjen nga faqja e kodrës së një Kepi të famshëm me aq shumë histori, të një masivi pyjor qarkues, pronë e Kishës Katolike (Provincës Franceskane Shqiptare), nga zjarrvënës dhe grabitës profesionistë.
Në fakt, ngjarja e vitit 2020 sikurse edhe kjo e këtyre ditëve të fundit, është pjesë e “afrimit të përditshëm dhe të pandalun të gllabëruesve të tokave në bregdetin rreth e qark Kepit të Rodonit”, zonave në Jug dhe Veri të kësaj pasurie natyrore dhe kulturore.
Ajo që më habiti më së shumti në gjithë këtë histori të sotme ishte profilizimi i palëve të kësaj përplasje dhe shpërdorimi i tagreve dhe kufizave juridike të veprimtarisë nga ana e titullarëve të Provincës Françeskane, që, pas flakëve të vitit 2020, paskan nënshkruar kontrata sipërmarrjeje. (në qoftë se lajmi është i vërtetë)!
Sipas meje, kjo është e papranueshme.
Unë besoj se askush nuk ka pasur të drejtë të hyjë në veprime kontraktore, që afrojnë civilët dhe privatet laike, në një pronë kishtare, që është njëkohësisht edhe monument i kulturës sonë kombëtare.
Mendoj se ndërhyrja në shumë plane, e Konferencës Ipeshvknore në këtë rast duhet të jetë e menjëhershme, qoftë në rikthimin e së drejtës që i takon Kishës Katolike, qoftë në mbrojtjen e një siti të historisë sonë, pranë të cilit nuk ka punë askush veç autoriteteve shkencore, kulturore dhe ato mbrojtëse shtetërore.
Edhe një herë dua të përsëris se ajo që po ndodh në këto orë në Kepin e Rodonit duhet të vendosë në alarm dhe veprim të gjitha strukturat e specializuara të Shtetit, duke filluar nga Policia, Ministria e Kulturës, Autoriteti i Kulteve.
Një javë më parë isha në Kosovë dhe vizitova Ulpianën, ku vazhdonin gërmimet për zbulimin e plotë të Bazilikës Iustiniana Secunda dhe Pallatit Episkopal. Ajo që më bëri përshtypje ishte kujdesi i posaçëm i Qeverisë së Republikës së Kosovës. Ruajtja e Qytetit Antik Dardan, përveç rojeve civile të betuara, realizohej edhe nga Policia e Shtetit të Kosovës me shërbim 24 orë.
Edhe pse kemi 111 vite jetë shtetërore, Shqipëria duhet të mësojë nga shtetndërtuesit dhe ushtruesit e funksioneve qeverisëse të Republikës së Kosovës në mbrojtjen e trashëgimisë kombëtare.