zoom

Bota

Serbia në kaos politik, a po shkon vendi drejt forcave ekstreme?

Serbia ka hyrë në një kaos politik prej ditësh, por që janë rrjedhojë e politikave të saj të gabuara, tensioneve të brendshme, incidenteve në Banjskë të Kosovës dhe po ashtu krizës së brendshme politike.

Situata më e fundit edhe në Malin e Zi, ku partitë pro-ruse dhe pro-serbe morën qeverinë, duket se tani ka kaluar si efekt domono edhe në “vendin mëmë”, teksa është rritur rreziku që në Serbi forcat progresiste të humbasin terren dhe vendi të shkojë drejt ekstremit me platformë politike pro-ruse dhe etnike. Kjo mund të sjellë edhe rritje të tensioneve me Kosovën, pas ngjarjeve në Banjskë.

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, shpalli sot zyrtarisht mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare me 17 dhjetor, të tretat me radhë në tre vjet e gjysmë dhe rezultatet do të tregojnë “devizën” politike të së ardhmes se vëndit të trazuar politikisht.

Duke nënshkruar vendimin për shpërndarjen e parlamentit dhe shpalljen e zgjedhjeve, presidenti serb tha se “po jetojmë në kohë të vështira për mbarë botën, në kohën e sfidave globale, luftërave dhe konflikteve, në kohën kur është e nevojshme që të gjithë të jemi të bashkuar në luftën për ruajtjen e interesave jetike kombëtare dhe shtetërore të Republikës së Serbisë, një kohë kur do të përballemi me presione të shumta për shkak të marrëdhënieve me Kosovën dhe çështje të tjera rajonale dhe botërore”.

Pushteti në Serbi është përballur me trysni në rritje nga opozita pas dy sulmeve masive në pranverën e këtij viti që lanë pas vetes 17 të vrarë, duke nxitur zemërimin e publikut dhe protesta masive kundër qeverisë. /ZOOM.AL/