Aplikacion
Pas mungesës për disa muaj në media, emri i fisit Rraja u rikthye si problematik.
Këtë të premte iu vendosën prangat në duar Ariel Rrajës, 22 vjeç, i cili është nipi i ish-deputetit socialist Rrahman Rraja.
Ariel Rraja u arrestua sepse gjatë një kontrolli që policia ushtroi në banesën e tij në Tiranë gjeti një sasi kokaine dhe shuma parash, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin.
I arrestuari, djali i Flamur Rrajës
Babai i Ariel Rrajës është Flamur Rraja. Ai është në kërkim për shkak të dhunës barbare ndaj fisit Maja për guroren në Borizanë.
Flamur Rraja është një ndër anëtarët e fisit Rraja që dhunuan me shkopa bejsbolli dhe kërcënuan me pistoletë Jashar dhe Bilbil Majën pse ata ishin ankuar në polici për guroren e tyre në Borizanë.
“Në lokal pashë që kur u shtriva në dysheme u futën edhe katër persona të tjerë, ishte edhe “Caku” që është pronar i gurores. Kishin në duar shkopinj me të cilët na godisnin. Flamur Rraja më ka goditur me shulin e pistoletës, kurse Xhelal Rraja më goditi nga mbrapa në shpinë me qytën e pistoletës”, tha në polici Bilbil Maja, pasi u dhunua.
Policia arrestoi 4 persona dhe shpalli në kërkim 3 të tjerë, si të përfshirë në konfliktin mes fisit Rraja dhe Maja në Fushë-Krujë.
Policia ndaloi Ineidi Rraja 23 vjeç, Eni Kullaj 27 vjeç, Kujtim Përdaku 57 vjeç dhe Andi Rraja 28 vjeç.
Gjithashtu u shpallën në kërkim shtetasit Xhelal Rraja, 65 vjeç, Flamur Rraja, 55 vjeç, dhe K. Rr., 31 vjeç, të gjithë këta persona janë pjesëtarë të fisit Rraja.
Dorëheqja e Rrahman Rrajës
Dy ditë pas kësaj ngjarjeje, Rrahman Rraja u dorëhoq nga posti i deputetit për shkak të skandalit në të cilin u përfshi djali i tij, duke u shprehur se ka dështuar si prind.
“Nuk kam fjalë për ta shprehur sikletin karshi të gjithë atyre që më kanë besuar gjithë këto vite. Fatkeqësisht unë dështova si prind dhe ndjehem i turpëruar publikisht nga fëmija im. Ju kërkoj ndjesë shokëve dhe kolegevë të grupit parlamentar dhe deklaroj dorëzimin e mandatit të deputetit dhe terheqjen time nga jeta politike. Ju kërkoj ndjesë atyre që më kanë dhënë votën prej vitit 2000 si kryetar komune dhe prej 2 mandatesh si deputet.
Ju kërkoj ndjesë viktimave të asaj dhune turpëruese për familjen time. I bëj thirrje djalit tim të dorëzohet para drejtësisë. Zoti më dhëntë forcë që ta përballoj këtë dhimbje të madhe dhe jetë që ta shlyej këtë turp që më la mbi shpatulla si gur im bir. Në fund mirënjohje dhe ndjesë edhe kryetarit të partisë dhe kryeministrit, i cili nuk më kishte asnjë borxh për këtë shqetësim kaq të madh publik që i shkaktova”, tha Rraja.