zoom

In Zoom

Reklama e re e BKT ngre dyshime për mungesë likuiditeti

Deri në 6.85% në LEK 6.7% në USD dhe 5% në EURO. Kjo është reklama e re e Bankës Kombëtare Tregtare ( BKT ) përmes së cilës kjo bankë kërkon të joshë klientët dhe qytetarët e tjerë që t’i depozitojnë kursimet pranë saj.

Normat e ofruara nga BKT janë më të lartat në treg dhe kanë tërhequr vëmendjen e ekspertëve.

Arsyeja? Oferta vjen në një kohë kur Banka e Shqipërisë nuk ka diktuar ndryshime të tjera të normës bazë të interesit dhe as në ekonomi, as në tregun bankar nuk ka pasur zhvillime me ndikim në këtë sektor. Për këtë arsye ngritja e çmimit të depozitave në këtë nivel ngre dyshime se BKT ka mungesë likuiditeti në arkën e saj.

“Kur bankat duan depozita shtesë, ato mund të rrisin normën e interesit të ofruar në llogaritë e kursimeve për të tërhequr para shtesë”, -argumentojnë ekspertët e ekonomisë për Zoom.al.

Tentativa e BKT për të rritur likuiditetin vjen në një kohë kur pronari i saj, biznesmeni turk Ahmet Çalik ka vendosur të investojë në sektorin e ndërtimit në Shqipëri.

Përmes një kompanie të krijuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të quajtur “Delta Real Estate Development”, që zotëron pronat e BKT në Shqipëri, Çalik do të jetë aksioner në kullën 54 –katëshe “Barcelona” që do të ngrihet në vendin ku sot gjenden godina e BKT dhe Albtelecom, në rrugën Ibrahim Rugova, pranë Kishës Ortodokse dhe Bankës së Shqipërisë.

Në ndërtimin e kësaj kulle, BKT (nëpërmjet “Delta Real Estate Development”) do të bashkëpunojë me kompaninë “Bami Holding”, pas së cilës thuhet se fshihet kompania “Kastrati”.

Se si do të financohet kjo kullë nuk është ende e qartë. Por oferta e re me rritjen e normës së interesit të depozitave mund të jetë e lidhur me këtë financim.

Mbetet për t’u parë nëse BKT do ta financojë ndërtimin e kullës nëpërmjet dhënies së kredisë kompanisë “Bami Holding” apo kreditimit të kompanisë së pronarit të saj “Delta Real Estate Development” dhe Zoom.al po e monitoron këtë proces. /Zoom.al