zoom

Aktualitet

Studentët e Mjekësisë bllokojnë rrugën, goditet me vezë godina e Ministrisë së Arsimit

Studentët e Mjekësisë kanë dalë sërish në protestë duke kundërshtuar ligjin e qeverisë që i kushtëzon diplomat dhe i detyron që të punojnë në Shqipëri për 5 vite.

Studentët nisën marshimin nga Universiteti i Mjekësisë duke bllokuar plotësisht njërin aks rrugor dhe përshkuan itinerarin deri tek Ministria e Arsimit.

Gjatë protestës së tyre përpara institucionit arsimor, ata kanë hedhur vezë në drejtim të godinës së Ministrisë.

Ndërkohë studentët kanë bllokuar tërësisht Rrugën e Durrësit, duke paralizuar qarkullimin e automjeteve dhe urbanëve.

“Do të vazhdojmë me protesta. 2.4 mln është skemë mashtrimi, pasi jo më larg se në korrik dhe qershor u aplikua tarifa 6.8 mln lekë. Kush tha që taksapaguesit paguajnë vetëm për ne, paguajnë për të gjithë studentët. Paguajnë një tarifë që është më e larta në Universitetet e Shqipërisë ato taks ai paguan edhe prindi im. Lufta jonë bëhet që qëndrojmë në Shqipëri me lirinë tonë, dhe jo të na detyrojnë të punojmë 5 vite, të na internojnë diku larg. Ne duam të qëndrojmë dhe të punojmë në Shqipëri, ca të keqe ka nëse unë specializohem jashtë dhe vij sërish në Shqipëri”, tha një studente.

Kjo është java e dytë që studentët e Mjekësisë nuk shkojnë në auditore duke bojkotuar mësimin, ndërsa kanë paralajmëruar se protesta do të vazhdojë derisa qeveria të tërhiqet nga ky ligj.

Studentët kanë kërkuar dorëheqjen e zv.ministrja e Arsimit, Albana Tole e cila u shpreh se kush nuk dëshiron që të nënshkruajë marrëveshjen, të braktisë Universitetin.

Çfarë përmban ligji

Ligji parashikon një marrëveshje me studentët e mjekësisë, që ata të punojnë deri në 5 vite brenda vendit pas përfundimit të studimeve, si dhe diplomën ta marrin vetëm pas kësaj periudhe.

Për studentët e vitit të dytë deri në vitin e katërt propozohet të nënshkruajnë një marrëveshje në fillim të vitit të ri akademik se pranojnë të punojnë jo më pak se tre vite, ndërsa studentët e vitit të pestë dhe vitit të gjashtë, se pranojnë punësimin për dy vite në Shqipëri.

Ata duhet të përballojnë vlerën e plotë të kostos së studimeve, nëse nuk nënshkruajnë marrëveshjet.

Shumica socialiste e kaloi për shqyrtim në Kuvend me procedurë të përshpejtuar projekt-ligjin e miratuar nga qeveria.

Ndërsa presidenti Bajram Begaj e miratoi në heshtje ligjin për studentët e Mjekësisë. Edhe pse Presidenti Begaj priti në një takim studentët e Mjekësisë, zgjodhi të mos e kthente ligjin për rishqyrtim, por e kaloi në heshtje.