zoom

Aktualitet

Studentët e Mjekësisë bojkot mësimit, kërkojnë dorëheqjen e zv.ministres së Arsimit

Studentët e Mjekësisë kanë dalë sërish në protestë duke kundërshtuar ligjin e qeverisë që i detyron të punojnë në Shqipëri 5 vite pas studimeve.

Ata bllokuan hyrjen e godinës ku zhvillohet mësimi dhe më pas nisën marshimin drejt Ministrisë së Arsimit.

Studentët kanë kërkuar dorëheqjen e zv.ministres së Arsimit, Albana Tole, e cila deklaroi në një emision televiziv se studentët që nuk bien dakord me kushtet e kontratës të ndërpresin studimet.

“Ne studimet nuk i lëmë por dorëheqja duhet dhënë”, u dëgjuan ata duke thirrur.

Kjo është java e dytë e studimeve, por studentët e Mjekësisë nuk janë futur në auditore duke braktisur mësimin.

Ata kanë paralajmëruar se protesta do të vazhdojë derisa qeveria të tërheqë ligjin që i kushtëzon diplomat.