Aplikacion
Për rrjedhojë Prokuroria e Tiranës akuzon pjesëtarët e fisit Rraja për plagosje të lehtë e kanosje ndaj dy kushërinjve Maja.
Mësohet se grupi i ekspertëve me aktin e ri të ekspertimit më 18 shtator i kanë klasifikuar dëmtimet në kategorinë e plagosjes së lehtë me dashje.
Shkak për dhunën ndaj Majave është bërë denoncimi në polici prej tyre për shpërthimet në gurore, në pronësi të Përparim Rrajës, vëllait të ish-deputetit socialist Rrahman Rrajës.
Ata kanë deklaruar në komisariat se u janë dëmtuar banesat për shkak të këtyre shpërthimeve. Pas denoncimit, një grup i madh burrash, shumica anëtarë të fisit Rraja, kanë dhunuar me shkopa bejsbolli, grushte e shkelma dy kushërinjtë Maja.
Ngjarja u zbardh pasi në media qarkulloi video e dhunës e filmuar nga vetë dhunuesit.
Për dhunën e ushtruar ndaj kushërinjve Maja, gjykata ka lënë në burg 3 persona, ndërsa 6 të tjerë janë shpallur në kërkim. Mes tyre Rexhep Rraja, djali i ish-deputetit dhe dy vëllezërit e ish-deputetit socialist të Krujës, Flamur dhe Xhelal Rraja.