zoom

Aktualitet

Vdekja e anglezes gjatë ekspeditës së zhytjes në Sarandë, i ati: S’do ndaloj së kërkuari drejtësi

Babai i 29-vjeçares angleze, Rebecca Gannon, e cila u mbyt gjatë një ekspeditë zhytjeje në Shqipëri, ka deklaruar se nuk do të ndalojë kurrë së luftuari për drejtësinë për të.

George Gannon, tha për Sky News se e bija po zhytej në një turne të organizuar nga Diving Spiranca në Sarandë shtatorin e kaluar, kur u mbyt.

61-vjeçari tha se u“shtang” kur iu tha për vdekjen e saj.

“Ne ishim ulur si familje duke parë funeralin e Mbretëreshës, kur na trokitën në derë, hynë dy policë dhe thanë, “duhet t’ju ​​themi se vajza juaj vdiq në Shqipëri”, tha ai. “Nuk kam mundur të qaj akoma, nuk kam mundur të pikëllohem”.

George ka kaluar pjesën më të madhe të 12 muajve të fundit në Shqipëri duke u përpjekur të zbulojë se çfarë ka ndodhur dhe tani është gati të kthehet në Britani.

“Është e tmerrshme, nuk kam pasur asnjë ndihmë nga qeveria shqiptare, nuk kam pasur asnjë ndihmë nga qeveria britanike. Isha në Shqipëri duke luftuar për vajzën time pa asnjë ndihmë dhe kur jam përpjekur të kontaktoj me njerëzit ata thjesht nuk flasin.

Është sikur nuk ka ndodhur kurrë, por nuk do të ndalem kurrë, kurrë, kurrë, derisa të gjej drejtësinë”, theksoi ai

Gannon tha se Rebecca donte të plotësonte 30 zhytje në kohën kur do të mbushte 30 vjeç. Zhytja në Shqipëri ishte e 29-ta e saj dhe e fundit.

Ai dyshon se vajzës së saj nuk iu dha ndihma në kohë dhe se vdekja e saj mund të ishte parandaluar. Ai theksoi se vendi ku e reja vdiq ishte vetëm shtatë metra i thellë.

“Ajo ishte zhytur 25-30 metra dhe që ajo të vdiste vetëm në shtatë metra ujë ishte katastrofike,” tha ai.