Aplikacion
Për t’i dhënë zgjidhje kaosit të përditshëm menaxhimi iu kalua Fondit Shqiptar të Zhvillimit.
Por 5 vjet më pas asgjë s’ka ndryshuar.
Makinat lejohet të hyjnë në territorin e QSUT vetëm duke marrë një biletë parkingu, pavarësisht nëse ka apo nuk ka vende parkimi.
Lejimi i të gjitha mjeteve, ndonëse vendet e parkimit janë të zëna, krijon një kaos të pamenaxhueshëm, aq sa qendra spitalore më e madhe në vend ngjan me një treg mallrash me shumicë ku makina e kamionë ngarkojnë e shkarkojnë ç’të munden mes zhurmave e pluhurit.
Nëse dikush nuk gjen vend dhe vendos të largohet, do të duhet gjithësesi të paguajnë tarifën prej 100 lekësh, ndonëse largimi ka qenë i detyrueshëm dhe qëndrimi ka qenë vetëm pak minuta.
Në këtë mënyrë, Fondi Shqiptar i Zhvillimit kujdeset vetëm të arkëtojë sa më shumë para, por jo për t’i dhënë zgjidhje gjendjes kaotike. Në hyrje e daljet e QSUT-së, punonjësit e fondit kërkojnë vetëm paratë e biletës, por nuk japin asnjë sqarim kur dikush u kërkon llogari se përse e lejuan të hyjë brenda me makinë kur nuk ka vende të lira parkimi.
Ata që detyrohen të parkojnë duke shkelur rregullat e qarkullimit, gjobiten nga policia rrugore, ndonëse janë pajisur me bileta. Nuk mungojnë edhe rastet e konflikteve mes drejtuesve të makinave, për shkak të bllokimit të lëvizjes se njëri – tjetrit.
Menaxhimi i parkingut është denoncuar vazhdimisht edhe nga vetë mjekët e drejtuesit e QSUT.
Në kulmin e pandemisë, Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, do të shpërthente në rrjetet sociale në këtë mënyrë.
Mjekët dhe infermierët thonë se Fondi Shqiptar i Zhvillimit nuk ka bërë asgjë për të rregulluar menaxhimin e parkingut dhe për të përmirësuar situatën.
Gjendja është kaotike çdo ditë si në kohën kur e menaxhonte kompania private që kishte fituar koncesionin, aq sa edhe autoambulancat ngelen në trafikun që krijohet brenda territorit të QSUT.
“Të gjithë duan vetëm të marrin paratë dhe askush nuk bën asgjë për të gjetur zgjidhje”, – tha një mjek për Zoom.al në kushtet e anonimatit. “Kjo vetëm qendër spitalore s’mund të quhet. Ndoshta han pa porta”.
Të dhënat e siguruara nga Zoom.al tregojnë se në parkingun e QSUT hyjnë mbi 4 000 automjete në 24 orë. Por parkingu ka vetëm 900 poste.
Për 2 orët e para të qëndrimit paguhen 100 lekë. Më pas, për çdo orë paguhet nga 100 lekë shtesë.
45 % të të ardhurave i shkojnë QSUT -së që drejtohet nga Albana Fico, ndërsa 55 Fondit Shqiptar të Zhvillimit që drejtohet nga Dritan Agolli.
Mesa duket, të dyja institucionet kujdesen të arkëtojnë sa më shumë dhe aspak për të rregulluar gjendjen kaotike. /Zoom.al