Aplikacion
“Ne e mirëmbajmë flotën ajrore jashtë vendit dhe kostot janë të mëdha, vështirësitë e mirëmbajtjes janë të mëdha”, deklaroi ai më 27 qershor 2022.
Javën e kaluar një helikopter Cougar u ngrit në fluturim për të shuar zgjarret ne Qeparo. Ai është i vetmi i kësaj flote që mund të kryejë fluturime, por kjo edhe për pak kohë. Orët e tij po mbarojnë.
Sipas kontratës, helikopterët Cougar duhet t’i nënshtrohen një mirëmbajtjeje periodike dhe mund të bëjnë vetëm disa orë të caktuara fluturim.
Dy helikopterë të tjerë kanë mbetur në Poloni. Zoom.al mëson se qeveria shqiptare ka hasur në një problematikë me kompaninë “Heli-One” që ka marrë përsipër kryerjen e kontrollit periodik.
“Kompania polake ofroi një vlerë më të ulët për procesin, por pasi fitoi kontratën nuk e ka kryer remontin”, i tha një burim Zoom.al.
Një Cougar tjetër ndodhet prej më shumë se 1 viti në Itali.
“Është e vërtetë, ka një problematikë me 1 helikopter Cougar që ka bërë një ulje të detyruar në Itali,” tha ministri Peleshi 1 vit më parë, duke sqaruar se shkak ishin “mosmarrëveshjet mes qeverisë dhe kompanisë së mirëmbajtjes”.
“Me shumë gjasa do t’a ndajë një proces gjyqësor”, vijoi ai.
Për shkak të kontratave të mirëmbajtjes, tani thuajse e gjithë flota ajrore e vendit është jashtë funksionit.
Helikopterët Cougar u blenë në kohën e qeverisë Berisha, pas një kontrate të miratuar në parlament në vitin 2010. Kompanisë franceze “Eurocopter” – sot “Airbus Helicopters” iu pagua një vlerë prej 78.6 milionë eurosh për 5 helikopterë “AS 532 AL Cougar”.
Njëri prej tyre, i pari që do të vinte në Shqipëri në vitin 2012, një version VIP, u aksidentua gjatë testimit të fundit, duke u marrë jetën 6 anëtarëve të ekuipazhit. Shqipëria kërkoi që ai të këmbehej me dy helikopterë të tjerë.
Më 6 prill 2016, Shqipëria humbi një tjetër helikopter të forcës së saj ajrore. Një model EC 145 u rrëzua në liqenin e Shkodrës gjatë një stërvitje. Kapiteni Florian Deliaj dhe togeri Donald Hoxha humbën jetën. Një pilot i tretë mbijetoi.
Mirëmbajtja e helikopterëve Cougar përbën një faturë të rëndë për buxhetin e ushtrisë. Në vitet 2014 – 2018 procesi është kryer nga kompania italiane “Eurocopter Italia”, por kostot nuk dihen.
Një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit, tregon se Ministria e Mbrojtjes shpenzoi 1.2 milionë euro për riparimin e defekteve në 3 nga 4 helikopterët “Cougar” dhe 2.4 milionë euro për siguracionet e tyre nga fillimi i vitit 2018 deri në qershor të vitit 2021, raportonte BIRN në një shkrim të 1 viti më parë.
Problemet më mirëmbajtjen e helikopterëve të ushtrisë nisën në vitin 2018. Për 4 vite me radhë mirëmbajtja u krye në një qendër të hapur në Rinas, ku ekspertët e “Eurocopter Italia” vinin sa herë nevojitej për të riparuar helikopterët. Në vitin 2018 Ministria e Mbrojtjes nuk e pagoi me faturën rreth 1 milion euro, çka ndërpreu edhe shërbimet e italianëve.
Pas prishjes së kontratës me italianët, Ministria e Mbrojtjes bëri në vitin 2019 një marrëveshje me kompaninë franceze “Airtelis”, më vlerë 435 mijë euro. Një “Cougar Combat SAR”” u dërgua në Francë me naune për remont, pasi kreu 282 orë fluturim.
Në rrugën e kthimit au u detyrua të bëntë një ulje emergjence në Itali.
Në prill të vitit 2021 Ministria e Mbrojtjes nënshkroi një kontratë tjetër me vlerë 112 mijë euro me kompaninë italiane “Helicopters Italia” për të riparuar avionin e ulur në Firence. KLSH thotë se kjo kosto përbënte një dëm ekonomik për buxhetin, pasi duhej zbritur nga shuma që mori kompania franceze.
Në dhjetor të vitit 2020 Ministria e Mbrojtjes nënshkroi një kontratë me kompaninë polake “Heli-One” për riparimin 2 helikopterëve “Cougar”, me vlerë 135 mijë dhe 176 mijë euro.
Problemet me helikoptërët “Cougar” dolën në pah kur Shqipëria u përball me zjarret masive në Karaburun në verën e vitit 2021.
Dështimi i mirëmbajtjes së tyre jo vetëm e kanë lënë Shqipërinë thuajse pa flotë ajrore, por edhe në rastet kur këta helikopterë janë në gjendje pune, defektet e tyre të vazhdueshme dhe lënia për vite me radhë pa remont, ka ngjallur frikë tek pilotët dhe personeli ushtarak që bëhet pjesë e ekuipazhit. /Zoom.al