Aplikacion
Në korrik, vendi filloi fazën e fundit të një projekti për mbjelljen e reve që synon të stimulojë artificialisht reshjet. Projekti do të shtrihet në 62 bashki në veri dhe verilindje të vendit dhe sipas Ministrisë së Bujqësisë synon “të luftojë efektet e thatësirës e të kontribuojë në rimbushjen e akuiferëve“.
Mbjellja e reve është një teknologji e zbuluar për herë të parë në vitet 1940. Që atëherë, ajo është përdorur në rreth 50 vende, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Kinë, ndërsa vetë Meksika ka eksperimentuar me modifikimin e motit për më shumë se shtatë dekada.
Megjithatë, disa shkencëtarë mbeten shumë të kujdesshëm në lidhje me efektivitetin e mbjelljes së reve dhe paralajmërojnë se nuk është një zgjidhje për thatësirën.
Që mbjellja e reve të funksionojë, së pari ju duhet një re. Avionët ose dronët injektojnë grimca në re që tërheqin pika uji për t’u formuar rreth tyre, duke rritur mundësinë e reshjeve ose borës.
“E gjithë ideja nuk është ‘krijimi i reve’ – sepse ne nuk mund të bëjmë një re, por përpiqemi të zbresim në sipërfaqe një përqindje më të madhe të ujit që përpunohet në re”, tha Roelef Bruintjes, një shkencëtar i modifikimit të motit në Qendrën Kombëtare për Kërkimet Atmosferike në SHBA.
Projekti i Meksikës përfshin injektimin e grimcave të jodurit të argjendit në re nga avionët.
Në mesin e korrikut, më shumë se 40% e Meksikës ishte në thatësirë mesatare deri në ekstrem, sipas shërbimit kombëtar të motit. Vendi ka qenë gjithashtu i zhytur në një valë ekstreme të nxehti që ka vrarë të paktën 249 njerëz gjatë katër muajve të fundit.
Ky mot ekstrem vetëm sa do të përkeqësohet dhe valët e të nxehtit e thatësira do të bëhen më të zakonshme dhe më intensive ndërsa kriza klimatike përshpejtohet, ndaj qeveria meksikane shpreson se stimulimi i reshjeve mund të ndihmojë fermerët të përballen më mirë me këtë problematikë.
Meksika pretendon se projekti i saj aktual i mbjelljes së reve, të cilin e ka nisur që nga dhjetori 2020, ka pasur një ndikim pozitiv. Në vitin 2021, fluturimet që injektuan retë rezultuan efektive me rreth 40% më shumë shi.